Aurora Group
02KOSOVËLAJME

Aksion në Veri: Policia gjen arsenal armësh, municionesh e pajisjesh ushtarake

Foto ilustrim

Ditët e fundit, rajoni i Mitrovicës së Veriut është bërë skenë e një serie bastisjesh nga njësitë e Policisë së Kosovës, të cilat kanë pasur për qëllim parandalimin e armëmbajtjes pa leje dhe sekuestrimin e municionit të kundërligjshëm. Operacionet, të zhvilluara më 10 dhe 11 shtator, kanë përfshirë disa lokacione në komunat Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, duke zbuluar jo vetëm armë me leje të skaduara, por edhe një arsenal të tërë që përfshinte municion, detonatorë dhe pajisje për mbushjen e fishekëve, njofton “Mitropol”.

Pesë raste të para – kontrolle në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok

Premium Store

Operacioni i 10 shtatorit përfshiu pesë lokacione të ndryshme. Në disa prej tyre, pronarët kishin pasur armë me leje të UNMIK-ut, por pa kryer vazhdimin e tyre tek institucionet kompetente.

  • Rasti I – Në Soqanicë, Leposaviq, u gjetën dy armë që ishin në proces të legalizimit.
  • Rasti II – Në Ibarska Sllatinë, Leposaviq, pronari deklaroi se armën e tij të gjuetisë e kishte shitur ligjërisht që në vitin 2006.
  • Rasti III – Në Korilë, Zveçan, u gjet një sasi e vogël municioni, ndërsa pronari tha se armët i kishte dërguar në Serbi.
  • Rasti IV – Në Okllaqe, Zubin Potok, nuk u gjetën armë, por pronari u zotua se do ta dorëzonte një pushkë me leje të skaduar.
  • Rasti V – Në Uglar, Zubin Potok, u sekuestrua një armë gjuetie me leje të skaduar të UNMIK-ut.

Në këto raste, nuk pati persona të arrestuar, por u iniciuan procedura ligjore për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Zbulimi i arsenalit në Zveçan

Një ditë më vonë, më 11 shtator, hetimet në Rastin III në Korilë, Zveçan morën një kthesë të papritur. Duke u bazuar në informata shtesë se në pronën e të dyshuarit mund të kishte sasi të tjera armësh dhe pajisjesh të rrezikshme, Policia realizoi një kontroll më të gjerë, përfshirë edhe objektet përcjellëse.

Po në këtë lokacion mbi dyshimin e bazuar dhe informatave se mund të ketë sasi tjetër të armatimit dhe çdo vonesë do të rezultonte me asgjësimin apo humbjen e provave materiale, Policia duke u bazuar në “Nenin 108 – Arsyet për kontroll dhe sekuestrimi te përkohshëm pa urdhër të gjykatës – paragrafi 1.5 për të parandaluar shitjen, asgjësimin apo humbjen e menjëhershme të provave apo pasurisë së specifikuar”, ka realizuar bastisje edhe në objektet tjera përcjellëse të të dyshuarit.

Rezultatet ishin alarmante.

Gjatë bastisjes u sekuestruan:

  • Një armë e gjatë e çmontuar me numër serik, dy karikatorë dhe gjithsej 60 fishekë të kalibrit 7.62×39;
  • 35 kuti municioni të mbyllura me nga 15 fishekë secila, pra plot 525 fishekë të kalibrit 7.62×39;
  • Dhjetëra fishekë shtesë për armë të gjata e pistoleta;
  • Dy karikatorë për armë të gjata pa municion;
  • 49 detonatorë elektrikë, një detonator mekanik, si dhe fitil për ndezje të ngadaltë eksplozivi;
  • Pajisje të tjera ushtarake si këllëf armësh, bajonetë, sfera për mbushje fishekësh, makineri për mbushjen e municionit dhe një pajisje distancë-matëse.

Për këtë rast, u arrestua i dyshuari S.G., 73 vjeçar, i cili pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit u dërgua në ndalim për 48 orë.

Një rast i ri në rrugën “Prote Stojana” – Zveçan

Po gjatë 11 shtatorit, Policia realizoi edhe një kontroll tjetër në një banesë në rrugën “Prote Stojana” në Zveçan, duke e regjistruar atë si Rasti VI. Nga aty u sekuestruan një pushkë gjuetie, 12 fishekë për pushkën, 15 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, dy sfera për fishekë gjuetie dhe një rrip mbajtës fishekësh. Në këtë rast nuk pati të arrestuar, por një person është nën hetim.

Policia apelon për legalizim të armëve

Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aksione të tilla, duke rikujtuar qytetarët se çdo armë pa leje të vlefshme është e kundërligjshme. Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që posedojnë armë me leje të skaduara ose pa dokumentacion të plotë, të paraqiten në stacionet policore për t’i legalizuar ose për t’i dorëzuar ato.

Këto operacione dëshmojnë angazhimin e institucioneve të sigurisë për të parandaluar qarkullimin e armëve të paligjshme dhe për të siguruar një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e rajonit./Mitropol/

Koha