Igballe Islami uron pensionimin e familjarit të saj, gjyqtarit të Supremes, Beshir Islami

Drejtoresha e Financave në Komunën e Mitrovicës, Igballe Islami – e cila garon për asambleiste në zgjedhjet e 12 tetorit me numër 3 në listën e PDK-së, ka ndarë një urim publik për familjarin e saj, gjyqtarin e Supremes, Beshir Islami, me rastin e pensionimit të tij.
Ajo ka shpërndarë njoftimin e Gjykatës Supreme, duke e shoqëruar me fjalë të këndshme e plot krenari.
“Urime pensionimin! Shëndet e lumturi pranë familjes. Ndjehemi me fat, si familje Islami, që punove me nder e përkushtim. Respekt i veçantë e mirënjohje maksimale!”, ka shkruar ajo.
Gjyqtari Beshir Islami, pas një përvoje 40-vjeçare në sistemin gjyqësor, dhjetë prej të cilave në Gjykatën Supreme, u nderua me mirënjohje nga kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, si dhe nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj. Ata vlerësuan kontributin e tij profesional në zhvillimin dhe forcimin e drejtësisë në vend.
Biografia e gjyqtarit përfshin një rrugëtim të gjatë nga administrata komunale e Mitrovicës, puna në UNMIK dhe Agjencinë Kosovare të Pronave, deri te dekretimi i tij në Gjykatën Supreme të Kosovës në vitin 2015./Mitropol/








