Shkarkohet Shpend Haxhibeqiri nga detyra U.D. i drejtorit të Institutit të Psikiatrisë

Pas shkarkimit nga pozita e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri ka dalë me një reagim publik ku shpreh pakënaqësinë e tij mbi mënyrën se si është marrë vendimi.
Në reagimin e tij, Haxhibeqiri thotë se vendimi për largimin nga detyra është marrë pa asnjë sqarim profesional dhe juridik dhe se nuk ka marrë asnjë shpjegim zyrtar për arsyet e këtij vendimi.
“Ky vendim është marrë në mënyrë të padrejtë dhe pa transparencë, duke cenuar në mënyrë të drejtpërdrejtë institucionin dhe punën e stafit”, tha Haxhibeqiri.
Ai gjithashtu ka kërkuar që çështja të trajtohet në mënyrë profesionale dhe me respekt ndaj institucionit, duke theksuar rëndësinë e funksionimit të rregullt dhe transparent të Institutit të Psikiatrisë Forenzike.
Ndryshe, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës është bërë e ditur se ushtrues detyre në këtë institucion do të jetë tani Dr. Arsim Gashi.
Postimi i plotë i Shpend Haxhibeqirit:
Të dashur miq, kolegë dhe qytetarë,
Me datën 17.09.2025 , u njoftova me një vendim për largimin tim nga detyra e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Ky vendim, i arsyetuar nga QKUK si “ristrukturim”, fatkeqësisht u mor pa ofruar asnjë sqarim profesional dhe juridik të nevojshm e obligueshëm, duke lënë hapësirë për interpretime dhe duke dëmtuar besimin në menaxhimin transparent.
Arritjet gjatë mandatit tim
-Ngritja e nivelit të shërbimeve dhe standardeve profesionale në institucion.
-Forcimi i stafit dhe zhvillimi i kapaciteteve përmes punës ekipore dhe përkushtimit.
-Rritja e reputacionit të institutit, duke fituar respekt e bashkëpunim edhe jashtë kufijve të Kosovës.
Transparencë më e lartë dhe bashkëpunim i ndërsjellë me institucionet relevante shëndetësore.
-Demant ndaj shpifjeve te mediave te caktuar
Ditëve të fundit janë publikuar insinuata se shkarkimi im lidhet me rastin tragjik të ndodhur jashtë institucionit tonë, pra që nuk është kompetenca jonë. Dua të jem shumë i qartë:
-Instituti ka kryer të gjitha ekzaminimet dhe procedurat në kohë, sipas standardeve profesionale dhe jane dorezuar organeve kompetente.
-Përgjegjësia për këtë tragjedi nuk mund të zhvendoset padrejtësisht mbi institucionin tonë.
-Për katër vite me radhë, Instituti i Psikiatrisë Forenzike nuk ka pasur asnjë incident të ngjashëm, gjë që dëshmon për përkushtimin dhe seriozitetin e stafit.
Këto pretendime janë të pavërteta dhe të papranueshme, dhe i konsideroj si përpjekje për të njollosur punën e institucionit dhe arritjet tona, per cka do te mirren organet e drejtësisë.
Përfundim
Integriteti im profesional dhe përkushtimi im nuk mund të hijezohen nga një vendim i tillë. Tradita ime familjare në shërbim të shëndetësisë është e njohur: babai im themelues i institucioneve mjekësore në Kosovë, motrat , bashkeshortja mjeke e profesioniste të përkushtuara, ndërsa unë vetë kam kontribuar me vite si mjek dhe drejtues. Këto arritje dhe kjo përvojë do të mbeten gjithmonë në shërbim të pacientëve dhe Shëndetitësisë publike.
Shëndetësia nuk duhet të jetë fushë improvizimesh dhe dëshirash personale, por një sistem i bazuar në profesionalizëm, transparencë dhe llogaridhënie. Për këtë unë do të vazhdoj të qëndroj dhe të flas hapur.








