Arrestohen tre persona në Vushtrri për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm

Policia në Vushtrri ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Sipas njoftimit të policisë, arrestimi është bërë në bazë të provave dhe dyshimeve të arsyeshme se brenda një lokali po zhvillohej veprimtari e kundërligjshme e lojërave të fatit.
Gjatë kontrollit, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tre telefona, një shumë parash prej 525 euro, tiketa si dhe dëshmi të tjera relevante.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të rastit, tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale në fjalë.








