Shqipëria për Kosovën në Nju Jork: Begaj kërkon anëtarësimin e Kosovës në OKB, Spiropali heqjen e sanksioneve të BE-së

Shqipëria ka vazhduar lobimin për Kosovën edhe gjatë punimeve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Udhëheqësit e shtetit shqiptar që po qëndrojnë në Nju Jork kanë kërkuar njohje të reja për Kosovën dhe heqjen e pengesave në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, kurse, kryediplomatja Elisa Spiropali ka kërkuar heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës.
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti shqiptar ka bërë me dije se Kosova duhet ta ketë karrigen e saj në OKB.
Ai ka vlerësuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga kjo organizatë është një akt drejtësi nga populli i Kosovës.
“Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë së saj dhe mbështetja për anëtarësimin në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës dhe një hap që forcon paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor,” ka thënë Begaj.
Në adresimin e tij Begaj ka theksuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes, sigurisë dhe multilateralizmit dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e ka vazhduar lobimin për Kosovën.
Në një intervistë për “ABC News Albania” kryediplomatja shqiptare ka kërkuar nga BE-ja heqjen e sanksioneve.








