
Kandidati i partisë Vetëvendosje dhe Listës Guxo për Mitrovicën, Faton Peci, gjatë një përballjeje televizive në RTK mbrëmë me kandidatin e PDK-së, Arian Tahiri, ka paraqitur të dhëna të rreme e manipuluese lidhur me një kontratë publike, duke pretenduar se ajo nuk është nënshkruar nga Zyrtari Kryesor Administrativ i Komunës.
I pafuqishëm për të ofruar argumente konkrete mbi ndonjë keqpërdorim të kundërshtarit të tij, Peci ka shpalosur një dokument- kontratë, duke deklaruar se asaj i mungon nënshkrimi ligjor i Bedri Hamzës. Në të njëjtën linjë ka dalë edhe dega e Listës Guxo në Mitrovicë, e cila publikoi disa dokumente të skanuara, ku shfaqet sikur mungon nënshkrimi i kryetarit Hamza.

Por, faktet e sistemit elektronik flasin ndryshe. Të gjitha aktivitetet e prokurimit dhe kontratat për organizatat publike ngarkohen në platformën E-prokurim, dhe aty shihet qartë se kontrata ekziston me të gjitha nënshkrimet përkatëse. Të dhënat dëshmojnë se Peci dhe Guxo kanë manipuluar dokumentin, duke ndërhyrë në fotografinë e publikuar në rrjete sociale dhe duke e fshirë nënshkrimin e Bedri Hamzës.

Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm: mjafton të hyni në E-prokurim, ku kontrata është e ngarkuar në formën e saj origjinale. Bëhet fjalë për kontratën me numër të brendshëm 642-23-9087-5-1-1, me titull: “Mirëmbajtja verore e rrugëve, liqenit akumulues dhe vendosja e portave elektro-hidraulike, si dhe mirëmbajtja e tyre”.

Sipas të dhënave zyrtare, kontrata është lidhur me grupin e operatorëve ekonomikë EURONDERTIMI Sh.P.K., Gazmend Bojku B.I., me vlerë prej 600,000 euro dhe afat zbatimi 36 muaj. Dokumenti në E-prokurim tregon se kontrata është nënshkruar më 06.11.2023 nga tre persona: Zyrtari përgjegjës i prokurimit Haxhimet Ferati, Zyrtari Kryesor Financiar, përkatësisht kryetari i Komunës Bedri Hamza, dhe përfaqësuesi i Autoritetit Kontraktues Fatmir Behrami.

Për çdo dokument që ngarkohet në sistemin elektronik, përgjegjës është Qeveria e Kosovës, respektivisht Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP). Ky sistem ruan gjurmë të detajuara për çdo ngarkim, përfshirë datën dhe orën e saktë të publikimit.
Për më tepër, për të verifikuar rrugën se si kontrata gjendet në prokurimet e Komunës së Mitrovicës, procedurën e ka publikuar hap pas hapi edhe gazetari Gazmend Morina. /Demokracia.com/








