Aurora Group
02KOSOVËLAJME

20 vite kujtesë për Faruk Spahinë – Mitrovica përkujon udhëheqësin e saj të urtë

Nën patronatin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, këtë të premte do të mbahet Akademi Përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryetarit të Mitrovicës, Faruk Spahija, me rastin e 20-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.

Ngjarja do të zhvillohet më 3 tetor, në orën 11:00, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ku pritet të mblidhen familjarë, bashkëveprimtarë, përfaqësues politikë, qytetarë dhe intelektualë të shumtë për të kujtuar figurën e një njeriu që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e qytetit dhe të Kosovës.

Active

Faruk Spahija mbetet një prej personaliteteve më të respektuara të Mitrovicës. Ai kujtohet si udhëheqës i urtë, me vizion dhe vendosmëri, i cili jetën dhe angazhimin e tij ia kushtoi qytetit dhe njerëzve të tij. Për shumëkënd, ai ishte shembull i intelektualit të përkushtuar dhe i njeriut që besonte se vetëm me dialog, urtësi dhe përkushtim ndaj punës mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë.

Organizatorët e kësaj akademie kanë theksuar se prania e qytetarëve në këtë ngjarje përkujtimore do të jetë një respekt dhe mirënjohje për jetën, veprën dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Faruk Spahisë. “Udhëheqësi i urtë” – siç e quanin bashkëkohësit – mbetet gjithmonë në kujtesën e Mitrovicës dhe të Kosovës.

Ky 20-vjetor është një mundësi për të reflektuar mbi trashëgiminë e tij dhe për të afirmuar edhe njëherë vlerat që ai përfaqësoi: ndershmërinë, përkushtimin qytetar dhe dashurinë e pakushtëzuar për vendin.

Koha