Dukato 2
KOSOVËLAJME

Nga ministria në fushatë: Si krijoi Faton Peci rrjetin e punësimeve dhe rehatimeve partiake

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci,  njëherësh kryetar i Listës “Guxo”  ka hyrë në garën për kryetar të Mitrovicës me një bagazh që e ndjek pas, atë të punësimeve të dyshimta politike në ministrinë që e ka drejtuar. Dokumentet dhe rastet që ka siguruar Demokracia.com tregojnë qartë se Peci e ka kthyer bujqësinë në një plantacion të rehatimeve politike.

Në tri vitet e fundit, dikasteri që udhëheq Peci është shndërruar në një strehë të rehatshme për bashkëpartiakët dhe këshilltarët e tij, të cilët nga pozita të emëruara politike janë transferuar me “konkurs publik” në shërbimin civil. Një proces që në letër duket ligjor, por në praktikë është përkthyer në rehati të qëllimshme politike.

Active 1

Në listën e gjatë të “rehatuarve”, që Demokracia.com e ka siguruar e ka raportuar më parë, përfshihen figura të afërta me Pecin, kandidatë të Listës “Guxo”, e madje edhe persona me të kaluar problematike ligjore.

Këshilltarët që u bënë zyrtarë civilë

Një prej rasteve më të dyshimta është ai i Arian Bugarit, këshilltarit të ngushtë të Faton Pecit, i cili u punësua si staf civil në ministri. Dokumentacioni zyrtar tregon se Bugari doli kandidat fitues në konkursin publik, ndërsa Peci publikisht shfaqi “habinë” se nuk kishte dijeni për aplikimin e tij megjithatë, për të nuk i kurseu fjalët e mira.

 

Një tjetër bashkëpartiak i afërt, Albert Behrami, nga Mitrovica, fillimisht u emërua si këshilltar politik, për t’u rehatuar më pas si drejtor koordinues i Agjencisë Pyjore të Kosovës në Mitrovicë. OJQ-ja e themeluar nga vet Behrami ka përfituar disa herë subvencione nga Ministria e Zhvillimit Rajonal rast për të cilin Demokracia.com ka raportuar më herët.

 

Bleona Krasniqi, asistente e Pecit dhe anëtare e kryesisë së degës së Guxo-s në Mitrovicë, u punësua në pozitën e Zyrtares për Informim në ministri. Edhe pse kishte qenë pjesë e stafit politik, ajo u përfshi në konkurs si kandidate e rregullt, duke siguruar 89.6 pikë në testin përfundimtar.

Bleona Krasniqi, asistente e Pecit dhe anëtare e kryesisë së degës së Guxo-s në Mitrovicë, u punësua në pozitën e Zyrtares për Informim në ministri. Edhe pse kishte qenë pjesë e stafit politik, ajo u përfshi në konkurs si kandidate e rregullt, duke siguruar 89.6 pikë në testin përfundimtar.

Në korrik të vitit 2024, ministria punësoi edhe Blertë Berishën si “Zyrtare për Arkiva” në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB). Berisha është motra e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, që vjen po ashtu nga Lista “Guxo” dhe është një nga përkrahësit më aktivë të fushatës së Pecit në Mitrovicë.

Partiakë të konfirmuar në pozita publike

Në shtator të 2024-s, AZHB-ja publikoi listën e përzgjedhur për “Zyrtarë të Autorizimit të Pagesave”, ku ndër emrat fitues ishte edhe Bleta Hajrizi. Ajo është anëtare e njohur e Listës “Guxo”.

Në po të njëjtin institucion, Egzon Tupella, militant i partisë së Pecit, u pranua në pozitën e Zyrtarit Ligjor,

Në strukturën e ministrisë, është punësuar edhe Xhevdet Osmani, i cili tani është kandidat për asamble nga Lista “Guxo”.

Familjarë dhe militantë në listat e përzgjedhjes

Në vitin 2024, ministri Peci kishte rehatuar edhe Behar Musën si Zyrtar të Depos – familjar i Liridon Musës, kandidatit për asamble në Mitrovicë nga Lista Guxo, të njohur ndryshe si këngëtari i dasmave “Liridon Bajgora”.

Nga kabineti i Donika Gërvallës, në ministrinë e Pecit

Në vitin 2024, Haki Huruglica, ish-asistent i Donika Gërvallës, u rehatua në Ministrinë e Bujqësisë si Zyrtar i Lartë për Koordinim të Politikave në Departamentin e Integrimeve Evropiane. Edhe ai është kandidat për asamble komunale në Mitrovicë, nën siglën “Guxo”.

Një tjetër rast i përsëritur është ai i Veron Menxhiqit, asistente ekzekutive e ministrit Peci, e emëruar fillimisht si staf politik. Ajo u bë Zyrtare e Lartë Ligjore në Departamentin Ligjor të ministrisë, duke grumbulluar 90.6 pikë në vlerësimin përfundimtar. Me këtë, Menxhiqi kaloi nga kontratë politike në atë të përhershme, duke u bërë pjesë e shërbimit civil.

Nga dënimi për falsifikim, në fushatë përkrah Pecit

Një rast që ngre edhe më shumë pikëpyetje për integritet është ai i Enis Osmanit, këshilltar i ministrit Peci, i cili sot shfaqet krah tij në tubime elektorale. Osmani ka pranuar fajësinë për falsifikim të votave dhe është dënuar me 1,500 euro gjobë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, pasi pranoi se kishte manipuluar rezultatet e votimit.

Të gjitha këto raste e vizatojnë qartë një model se Faton Peci, nga pozita e ministrit të Bujqësisë, ka përdorur mekanizmat institucionalë për të krijuar një rrjet të brendshëm lojalësh, të cilët sot i gjejmë në listën e kandidatëve për Mitrovicë.

Ai e nisi mandatin me sloganin e “profesionalizmit në administratë”, por po e përmbyll me një ministri të mbushur me militantë partiakë, këshilltarë të rehatuar e familjarë të bashkëpartiakëve. /Demokracia.com/

Premium Store