
Bedri Hamza dhe PDK ishin fituesit e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit në Mitrovicë.
Hamza arriti të zgjidhej kryetar me mbi 50% të votave dhe kjo ishte hera e parë në historinë e Mitrovicës që një kandidat fitoi pa balotazh, shkruan Mitropol.
Veç pozitës së kreut të komunës, PDK fitoi edhe 14 ulëse në asamblenë komunale dhe arriti marrëveshje edhe me PD-në, AAK-në e FeD-in, që kanë nga 1 përfaqësues në Kuvendin Komunal, gjë që i siguron Hamzës 17 vota nga 18 të nevojshme për t’ia kaluar propozimet me mbi 50% në Kuvend.
Në mënyrë që të kishte një qeverisje stabile, Hamza nisi diskutimet edhe me LDK-në.
Burime të sigurta të Mitropol bëjnë të ditur se arsyeja pse Hamza nuk arriti marrëveshje me LDK-në ishte insistimi i LDK-së për emrin që do udhëheq me Drejtorinë e Urbanizmit.
LDK që ka 6 asambleistë kërkoi nga Hamza 3 drejtori dhe pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal.
Por loja u prish pasi Hamza kërkoi që në krye të Urbanizmit të emërohej një ekspert i fushës, gjë që çoi në prishjen e negociatave.
Siç bëjnë të ditur burime të Mitropol brenda LDK-së, kryetari i LDK-së, Safet Kamberi kërkonte që në pozitën e kryesueses të emërohej Flutura Beka, gjë e cila u kundërshtua ashpër nga asambleistja Xhyljeta Imeri, pasi e njejta tha se ishte më meritore sesa Beka për këtë pozitë, meqë në zgjedhje mori më shumë vota se kjo e fundit.
Meqë fjala e Imerit nuk u dëgjua në kryesinë e degës, burime të Mitropol bëjnë të ditur se e njejta si shenjë frustrimi, bashkë me ish-kandidatin për kryetar, Dr. Armend Agollin i cili poashtu është i pakënaqur me kërkesat e Kamberit, morën pjesë në seancën për zgjedhjen e Kryesueses së Kuvendit nga radhët e PDK-së.
Ky veprim i Imerit dhe Agollit ka bërë që dega e LDK-së sonte të thërrasë një mbledhje urgjente ku pritet përjashtimi i anëtarëve që ‘nuk e dëgjuan’ kryetarin nga anëtarësia e LDK-së./Mitropol/








