Pa e pyetur fare LDK-në, Faton Peci e bën drejtor Gazmend Asllanin, njeriun që i ndihmoi në zgjedhje

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka emëruar Gazmend Asllanin në pozitën e Drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport, pa e konsultuar fare Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), parti kjo me të cilën ka koalicion qeverisës në nivel lokal.
LDK-ja kishte propozuar një emër tjetër për drejtor, por Faton Peci nuk e ka pranuar, duke propozuar që Gazmend Asllani të jetë drejtor, të cilën gjë nuk e ka pranuar LDK-ja.
Mirëpo, për shkak se Gazmend Asllani i ndihmoi në zgjedhje Faton Pecit që nga fillimi e jo partisë së tij, kryetari Peci e ka nxjerr vendimin për të.
Ndërkohë, Asllani ka bërë të ditur se ka pranuar zyrtarisht detyrën, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi të madhe dhe një mundësi për të kontribuar në zhvillimin e qytetit. Ai ka falënderuar kryetarin Peci për besimin e dhënë, duke theksuar se ky besim do të jetë motivim për angazhimin e tij në këtë funksion.
Sipas Asllanit, prioritetet e tij në këtë pozitë do të jenë fuqizimi i të rinjve, mbështetja e sportistëve, krijimi i hapësirave të reja për aktivitete rinore dhe sportive, si dhe promovimi i kulturës dhe trashëgimisë kulturore.








