
Ndërmarrja Trepça Sh.A. ka funksionalizuar kanalin zyrtar për sinjalizimin e dyshimeve për korrupsion dhe shkelje të ndryshme ligjore e etike, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
Sipas njoftimit zyrtar, kanali i sinjalizimit është hapur në bazë të Vendimit të Kryeshefit Ekzekutiv të Trepça Sh.A., ndërsa sinjalizimet mund të dërgohen përmes adresës elektronike sinjalizuesi@trepcasha.com.
Ky kanal shërben për raportimin e dyshimeve për korrupsion, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje ligjore dhe etike, si dhe veprime apo mosveprime që cenojnë interesin publik dhe integritetin institucional.
Nga Trepça bëhet e ditur se procesi i sinjalizimit zhvillohet në përputhje me Ligjin nr. 06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, si dhe në bashkëpunim institucional me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, në kuadër të kompetencave të saj ligjore.
Po ashtu, theksohet se të gjitha sinjalizimet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë, duke garantuar mbrojtjen e identitetit të sinjalizuesve dhe ndalimin e çdo forme presioni, diskriminimi apo hakmarrjeje.








