
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se Qeveria sot ka nënshkruar me BIK-un një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e xhamisë së Ibrit, shkruan Mitropol.
“Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999.”, tha Kurti.
Postimi i plotë:
Xhamia e Ibrit, e ndërtuar në vitin 1777 dhe e djegur më 2 maj 1999, do të rindërtohet.
Sot, së bashku me Myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të saj. Me këtë memorandum, Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore.
Në vazhdim, nënshkruam edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, i cili synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame.
Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Investimet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim.








