
Ky është i ndaluari për rastin tragjik në Vushtrri ku humbi jetën një punëtor ndërtimi
Mitropol dje raportoi ekskluzivisht për ngjarjen tragjike që ndodhi në një objekt ndërtimor në Vushtrri, ku një punëtor humbi jetën pasi dyshohet se ra nga lartësia gjatë punës.
Sipas burimeve të Mitropol, lidhur me rastin tashmë është ndaluar një person me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Bëhet fjalë për Qëndrim Igrishtën, i cili është intervistuar nga hetuesit pas vdekjes së 31-vjeçarit Valmir Klinaku.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 21 maj 2026 në rrugën “Bedri Pejani” në Vushtrri, në një objekt që ishte në fazë ndërtimi. Viktima ka rënë nga një kat i lartë i ndërtesës, duke pësuar lëndime fatale.
Punëtori ishte transportuar me urgjencë për trajtim mjekësor, mirëpo nuk kishte arritur t’u mbijetojë plagëve. Vdekjen e tij e kishte konfirmuar ekipi mjekësor në spital, ani pse i njejti u dërgua atje pa shenja jete.
Menjëherë pas rastit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë policore, inspektorët e punës dhe përfaqësues komunalë, të cilët kanë zhvilluar ekzaminime lidhur me rrethanat e aksidentit dhe kushtet e sigurisë në kantierin ndërtimor.
Burimet e Mitropol bëjnë të ditur se gjatë hetimeve janë intervistuar pesë dëshmitarë, ndërsa më pas është intervistuar edhe i dyshuari në prani të avokatit mbrojtës.
Pas procedurave fillestare, Prokurori kujdestar ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e Qëndrim Igrishtës për 48 orë.
Ndaj tij rasti është iniciuar për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë ende në zhvillim./Mitropol/








