Trepça fiton betejën ligjore pas 26 vitesh, Gjykata vendos masë sigurie për pronën në qendër të Prishtinës

Pas më shumë se 26 vitesh uzurpim dhe shfrytëzim pa kompensim, Trepça Sh.A. ka shënuar një fitore të rëndësishme ligjore në mbrojtje të aseteve të saj, shkruan Mitropol.
Sipas njoftimit të ndërmarrjes, pas ndjekjes së procedurave gjyqësore dhe ushtrimit të ankesës kundër vendimit të shkallës së parë, Gjykata Komerciale e Kosovës ka aprovuar ankesën e Trepçës dhe ka caktuar masën e sigurisë ndaj lokalit që ndodhet në rrugën “Johan V. Hahn”, afër Sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Bëhet fjalë për një pronë me vlerë të konsiderueshme, e cila, sipas Trepçës, ka qenë e uzurpuar dhe e shfrytëzuar për më shumë se dy dekada pa asnjë përfitim financiar për ndërmarrjen.
Me aktvendimin e fundit, gjykata ka pranuar kërkesën për masë sigurie, duke ndaluar ndërmarrjen e veprimeve që mund të cenojnë ose ndryshojnë gjendjen e pronës deri në përfundimin e procedurave gjyqësore.
Nga Trepça vlerësojnë se ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rikthimit dhe mbrojtjes së pronës publike, si dhe dëshmi të përkushtimit institucional për mbrojtjen e interesave të ndërmarrjes përmes rrugëve ligjore.
Zyrtarët e kompanisë theksojnë se do të vazhdojnë të ndjekin të gjitha procedurat e nevojshme për mbrojtjen dhe rikthimin e aseteve që konsiderohen pronë e Trepçës.







