
Një protestë solidarizuese do të mbahet sot në Tiranë, ku pritet të marrin pjesë studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, shkruan Mitropol.
Tubimi është paraparë të nisë në orën 17:00 në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit do të marshojnë drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Sipas organizatorëve, Kol Marku dhe Kristian Nela, protesta synon të shprehë mbështetje për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe të përcjellë mesazhe në mbrojtje të të drejtave të tyre, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe.
Ata kanë theksuar se aktiviteti është organizuar në mënyrë qytetare dhe pa përfshirje politike, me synimin për të treguar unitet dhe solidaritet ndërmjet shqiptarëve në rajon.
Organizatorët kanë bërë të ditur se pjesëmarrja pritet të jetë e gjerë, me studentë dhe të rinj nga të gjitha trevat shqiptare.








