Raportimi i Mitropol e kthjell Komunën e Faton Pecit, përmirësohet vendimi për Bordin e Stacionit të Autobusëve

Komisioni Komunal i Aksionarëve i Ndërmarrjes Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” Sh.A. në Mitrovicë ka emëruar Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, përmes një procedure të përshpejtuar, vendim i cili ishte shoqëruar me një sërë gabimesh në përpilimin e tij, dokument ky për të cilin raportoi Mitropol sot gjatë ditës.
Sipas vendimit të datës 6 korrik 2026, Komisioni ka emëruar në bordin e përkohshëm Ilir Parduzin, Xhevrie Ademi Bahtirin, Mexhit Musën dhe Xhavit Hasanin. Megjithatë, në vetë titullin e vendimit thuhej se po emërohen tre anëtarë, ndërsa në përmbajtje figuronin katër emra, çka përbënte një mospërputhje logjike në dokumentin zyrtar.

Bordi i Perkohshëm i Drejtorëve nga paragrafi 1 i dispozitivit të Vendimit ka mandat deri në zgjedhjen e Bordit te Drejorëve me mandat të plotë, por jo më tepër se 6 muaj.
Komisioni Komunal i Aksionarëve përbëhet nga drejtori i Faton Pecit, Mujë Igrishta, kryetar i Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Erseka Barani, anëtare po ashtu nga Vetëvendosje dhe Artan Berisha nga PDK.
Mitropol raportoi nga burimet e veta se Artan Berisha nga PDK kishte votuar kundër këtij vendimi, mirëpo kjo nuk ishte pasqyruar askund në dokumentin zyrtar.
Vendimi i tillë jepte përshtypjen se ishte miratuar njëzëri nga Komisioni, ndonëse Berisha kishte shprehur kundërshtimin e tij gjatë mbledhjes dhe kishte votuar kundër përbërjes së propozuar të bordit.
Dokumenti mes tjerash përmbante edhe pasaktësi të tjera juridike dhe teknike. Njëra prej tyre lidhej me emërtimin e ndërmarrjes, pasi në vendim përdorej termi “Ndërmarrje Publike Komunale”, ndërsa, ligji përcakton termin “Ndërmarrje Publike Lokale (NPL)”.
Një tjetër çështje serioze lidhej me arsyetimin e përdorur për procedurën e përshpejtuar. Në arsyetim thuhej se emërimi është bërë me procedurë të përshpejtuar për shkak të skadimit të mandatit të bordit dhe nevojës për vazhdimësinë e funksionimit të ndërmarrjes.
Megjithatë, duhet theksuar se Komisioni Komunal i Aksionarëve është zgjedhur nga Kuvendi Komunal më 30 janar 2026 dhe deri në mbledhjen e 6 korrikut ka pasur më shumë se pesë muaj kohë për të zhvilluar procedurat e rregullta të konkursit, bazuar në kriteret ligjore.
Vendimi që pati siguruar “Mitropol” nuk ofronte ndonjë arsye konkrete që do ta justifikonte përdorimin e procedurës së përshpejtuar, ndërsa mungesa e këtij arsyetimi duket se përbën një tjetër mangësi në dokumentin zyrtar.
Pas raportimit të “Mitropol”, Komuna e udhëhequr nga Faton Peci ka reaguar menjëherë dhe ka rregulluar vendimin e gabuar.
”Mitropol” ka siguruar edhe dokumentin e korrigjuar për numrin e anëtarëve pasi Mitropol ia “hapi sytë” Komunës.









