
Komunat e Kosovës pritet të dëmtohen financiarisht me mbi 150 milionë euro gjatë vitit 2026, si pasojë e vendimeve gjyqësore, moszbatimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, reduktimit të grantit të arsimit dhe përgjysmimit të grantit të performancës.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka thënë se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, komunave u janë marrë mbi 60 milionë euro nga vendimet gjyqësore, shumica prej të cilave lidhen me kontratat kolektive.
Ibrahimi ka deklaruar se një barrë tjetër financiare për komunat do të jetë edhe moszbatimi nga Ministria e Financave i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me përvojën e punës së shërbyesve publikë.
Sipas tij, komunat do të përballen edhe me një reduktim të grantit specifik për arsim.
“Shtoj kësaj edhe vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës ku granti specifik për arsim ka me qenë i reduktuar për komuna rreth 24 milionë euro, ku mbi 3,000 mësimdhënës në nivel lokal do të paguhen nga buxhetet e komunave të Republikës së Kosovës dhe vlera do të jetë rreth 24 milionë euro”, ka shtuar ai.
Ibrahimi ka kritikuar edhe vendimin për përgjysmimin e grantit të performancës për komunat përfituese.
“Në mënyrë të jashtëligjshme ata i përgjysmuan këtë grant dhe vendosën që në vend të 4 milionë euro të jetë 2 milionë euro. Domethënë dëmi ndaj pesë komunave përfituese është rreth 2 milionë euro. Në total këtë vit, domethënë bazuar në llogaritë tona, i del që komunat do të dëmtohen nga aspekti financiar mbi 86 milionë euro.”, ka thënë ai.
Ai ka paralajmëruar se shumica e këtyre mjeteve do të merren nga investimet kapitale, subvencionet dhe mallrat e shërbimet.
Ibrahimi ka shtuar se niveli qendror po bart te komunat përgjegjësi financiare që nuk burojnë nga vendimet e tyre dhe sipas tij, pasojat financiare do të rëndohen edhe nga kostot shtesë të procedurave gjyqësore dhe përmbarimore.
“Nuk mundesh ta shkëputësh kontratën e njëanshme dhe në mënyrë arbitrare me një mësimdhënës sepse ai mësimdhënës do t’i shfrytëzojë procedurat ligjore dhe do t’i përfitojë ato mjete financiare. Po përveç atyre që do t’i përfitojë, avokatët dhe përmbaruesit do të fitojnë një përqindje deri në 30%. Gjithashtu kjo përqindje e avokatëve, procedurave gjyqësore dhe përmbaruesve është e njëjtë edhe për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për normën e përvojës së punës nga 0.25 në 0.5%.”, ka thënë Ibrahimi.
Sipas tij, kryetarët e komunave janë duke u ankuar që nuk do të kenë mjete financiare për zbatimin e projekteve të cilat i kanë paraparë me buxhetet komunale. /EO







