Medi
02KOSOVËLAJME

Gjurmët e mishit të skaduar të “Apetit-it”dhe historia me kokainën- Pas Tivarit, dalin në pah parregullsi edhe në Portin e Durrësit

Skandali me mishin e skaduar të kompaninë kosovare “Apetit” po merr përmasa rajonale. Pas bllokimit të katër kontejnerëve me rreth 103 tonë mish viçi të skaduar në Portin e Tivarit, autoritetet malazeze kanë bërë të ditur se parregullsi të lidhura me të njëjtën kompani janë evidentuar edhe në Portin e Durrësit.

Lajmi është bërë i ditur nga Administrata Doganore e Malit të Zi, e cila thotë se informacionet e mbledhura për rastet në Durrës janë shkëmbyer me administratat doganore kompetente. Për ngjarjet është njoftuar edhe Organizata Botërore e Doganave.

Active 1

“Përmes komunikimit me administratat doganore të vendeve fqinje, është konstatuar se parregullsi në lidhje me këtë kompani janë evidentuar edhe në Portin e Durrësit, për çka janë mbledhur informacione dhe janë shkëmbyer me administratat doganore kompetente”, thuhet në njoftimin e doganës malazeze.

Kompania “Apetiti” kishte përdorur edhe më herët Portin e Durrësit për transportin e mishit të ngrirë nga Brazili. Jo vetëm për mish, por edhe për diçka tjetër.

Në qershor të vitit 2022, në një kontejner mishi të “Apetit Group”, në Portin e Durrësit u kapën 45.5 kilogramë kokainë, e cila kishte ardhur nga Brazili dhe kishte si destinacion Maqedoninë e Veriut.

Në atë rast u arrestua djali i një nga pronarët e “Apetit Group”, Arben Ferizi, dhe agjenti doganor në Portin e Durrësit, Egert Vargu.

Sipas raportimeve të kohës, kokaina ishte fshehur në një ngarkesë me mish pule.

103 tonë mish i skaduar në vetëm dy raste

Tre kontejnerët e parë- Në rastin e parë, më 15 shtator, autoritetet malazeze ndaluan tre kontejnerë me mish viçi, me peshë totale prej mbi 77 tonë.

Sipas njoftimit, kompania kosovare “Apetiti” kishte tentuar të mashtroi me tiketat e vendosura mbi afatin e skaduar të mishit.Mbi afatin e skaduar ishte zëvendësuar me deklarata me një afat tjetër përdorimi.

Dogana e Malit të Zi ka bërë të ditur se mishi nga këta tre kontejnerë do të asgjësohet pas përfundimit të procedurave ligjore.

Kontejneri i katërt- Vetëm dhjetë ditë më vonë, më 24 shtator, në Portin e Tivarit u ndal edhe një tjetër kontejner me 24,650 kilogramë mish viçi të ngrirë, i destinuar për “Apetit SHPK”. Sipas autoriteteve, mishi kishte afat përdorimi deri më 14 maj 2026.

Durrësi, pista e re e hetimit

Por dokumenti zyrtar malazez sjell një element tjetër që ngreh dyshime serioze se kjo kompani po bënte parregullsi edhe përmes doganës shqiptare.

Administrata Doganore thotë se, përmes komunikimit me administratat doganore të vendeve fqinje, është konstatuar se parregullsi në lidhje me kompaninë janë evidentuar edhe në Portin e Durrësit.

Insjaderi do të hulumtoj në vazhdim se çfarë ka ndodhur me ngarkesat e lidhura me “Apetit” në Portin e Durrësit?

“Apetit” arsyeton skadimin e afatit

Kompania “Apetit” ka deklaruar se ngarkesat e ndaluara në Mal të Zi nuk kanë hyrë në procedurë importi dhe nuk janë vendosur në treg në Kosovë apo në vendet e tjera të rajonit. Kompania e ka lidhur skadimin e afatit me vonesat në transportin detar.

Ndërkohë, autoritetet malazeze kanë dhënë një version që kërkon hetim të mëtejshëm: në rastin e tre kontejnerëve të parë, ato kanë deklaruar se etiketat origjinale me afatin e skaduar ishin hequr dhe zëvendësuar me deklarata të tjera.

Në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se ka rritur nivelin e kontrolleve ndaj operatorit “Apetit” dhe se, nëse konstatohen rreziqe për sigurinë ushqimore, do të ndërmerren masat përkatëse.

 

 

Koha