BE-ja e quan shqetësuese, Gjermania “thellësisht të shqetësuar”, Haga nuk komenton ndryshimet për Specialen

Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë reaguar të mërkurën ndaj ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës një natë më parë, duke ngritur shqetësime për pavarësinë dhe mandatin e gjykatës me seli në Hagë.
BE-ja ka shprehur “shqetësim të thellë” për miratimin e ndryshimeve, duke vlerësuar se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare që Kosova ka ndaj Bashkimit Evropian. Brukseli ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të respektojnë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara dhe zotimin për të siguruar llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, ka rikujtuar se Bashkimi Evropian e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara si një institucion i pavarur gjyqësor, ndërsa ka theksuar se mandati dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht.
Edhe Gjermania ka shprehur shqetësim të thellë. Ambasada gjermane në Prishtinë ka deklaruar se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar në bazë të ligjit të Kosovës dhe i mbështetur në Kushtetutën e Kosovës. Sipas Berlinit, pavarësia e tyre nuk duhet të cenohet. Ambasada ka bërë të ditur se mbështet edhe qëndrimin e BE-së kundër ndryshimeve të miratuara.
Reagim ka pasur edhe nga vetë Dhomat e Specializuara në Hagë. Zëdhënësi Michael Doyle ka thënë se institucioni nuk është konsultuar për ndryshimet e ligjit dhe se, për momentin, nuk ka koment lidhur me to. Ai ka theksuar se Dhomat janë të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre, për zhvillimin e procedurave të drejta, të paanshme dhe të sigurta, si dhe për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave.
Ndërkohë, edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar ka refuzuar të komentojë ndryshimet ligjore.
Kuvendi i Kosovës i miratoi ndryshimet pak para mesnatës së 6 tetorit, në një seancë të jashtëzakonshme, përpara votimit për presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka Pulën. Ndryshimet ishin iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe u miratuan përfundimisht para zgjedhjes së presidentes.
Ndryshimet e miratuara ngushtojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara në aspektin e veprave, kohës dhe territorit, ndërsa parashohin edhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe mundësinë e transferimit të rasteve ose dënimeve në Kosovë.
Baza juridike për themelimin e Dhomave të Specializuara lidhet me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton. Në kuadër të këtyre zotimeve, Kosova ishte zotuar të konsultohej me BE-në për nisma ligjore që mund të ndikonin në mandatin e Dhomave ose në procedurat gjyqësore që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese. Po ashtu, ishte zotuar për vazhdimin e punës së Dhomave dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar deri në përfundimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.
Megjithatë, Përparim Gruda, deputet i PDK-së dhe një nga mbështetësit kryesorë të nismës, ka kundërshtuar qëndrimin e BE-së. Ai ka deklaruar se Kosova nuk po shkel detyrimet ndërkombëtare dhe se ndryshimet nuk nënkuptojnë mbylljen e Gjykatës Speciale.
“Gjykata Speciale nuk do të mbyllet dhe asnjë detyrim ndërkombëtar nuk do të shkelet”, ka thënë Gruda.
Qeveria e Kosovës kishte deklaruar më herët, para miratimit të ligjit, se nuk kishte gjetur pengesa ligjore për nismën e PDK-së dhe se ndryshimet ishin në përputhje me vlerësimet e saj juridike.
Reagimet ndërkombëtare vijnë një ditë pasi Kuvendi miratoi ndryshimet dhe pak pas zgjedhjes së Justina Shiroka Pulës presidente të Kosovës, zhvillim që Bashkimi Evropian e përshëndeti, duke shprehur pritjen për rikthimin e stabilitetit institucional dhe vazhdimin e rrugës evropiane të Kosovës.
Dhomat e Specializuara, të vendosura në Hagë, janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe përbëhen nga gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë. BE-ja është mbështetësi kryesor financiar i tyre, me rreth 400 milionë euro të dhëna që nga themelimi.
Reagimet e fundit ndërkombëtare vijnë gjithashtu disa javë pas aktgjykimit të 16 shtatorit, kur Dhomat e Specializuara dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte. Të katër kanë mohuar akuzat dhe kanë paralajmëruar ankim në Apel.







