Premium Store
KOSOVËLAJME

Tragjedi në Gjilan: Një person dyshohet se vrau gruan dhe mikun, e plagosi mikun tjetër gjatë shkëmbimit të zjarrit me miqtë

Screenshot

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Livoçin e Ulët të Gjilanit, ku dy persona kanë humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.

Sipas informacioneve të siguruara nga burimet e Sinjalit, viktimat janë N. B dhe vëllai i saj, E. B, ndërsa i plagosur ka mbetur një axhë i saj, M. B.

Active

Dyshimet e para lidhur me rrethanat e ngjarjes janë se N. B mund të jetë vrarë aksidentalisht gjatë një shkëmbimi zjarri mes bashkëshortit të saj dhe personave që dyshohet se ishin në shoqërinë e tij.

Pas vrasjes së dyfishtë, dorasi u dorëzua në Policinë e Gjilanit.

Sipas Policisë, rasti është raportuar sot, më 9 tetor, rreth orës 14:25, në Stacionin Policor në Gjilan. Njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë intervenuar edhe dy prokurorë të Shtetit dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.

Viktima e parë, një burrë rreth 30-vjeçar, është gjetur pa shenja jete brenda një veture, ndërsa një grua e së njëjtës moshë është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan. Sipas Policisë, dyshohet se të dy janë qëlluar me armë zjarri nga i njëjti person.

Ndërkohë, një person tjetër që ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pasi ka marrë ndihmën e parë në Emergjencën e Spitalit të Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

Sipas informatave fillestare, mes të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare. Megjithatë, motivi që çoi deri te kjo ngjarje ende nuk dihet.

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë relevante hetimore, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave, përcaktimin e motivit dhe dokumentimin e rastit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Koha