Hoxha e përmend me emër Ilmi Azemin, drejtorin e Prokurimit në Vushtrri, pretendon se po intimidohet pas raportimit për tenderët

Aktivisti Dibran Hoxha ka publikuar një reagim të ri lidhur me pretendimet për tenderët në Komunën e Vushtrrisë, ku kësaj radhe e ka përmendur me emër Ilmi Azemin, drejtorin e Prokurimit në këtë komunë, njofton Mitropol.
Hoxha pretendon se Azemi, i cili sipas tij nënshkruan tenderë në emër të komunës, njëkohësisht ka lëshuar fatura përmes kompanisë së tij private ndaj një operatori ekonomik të cilit paraprakisht ia kishte nënshkruar tenderin.
”Mitropol” ka arritur të siguroj edhe dokumente të nënshkruara nga Azemi në të dyja cilësitë.

Në reagimin e publikuar sot, Hoxha thotë se gjatë dy ditëve të fundit është përballur me komunikime private nga Azemi, të cilat i cilëson si përpjekje për intimidim, duke përmendur edhe paralajmërime për padi.
Ai pretendon se Azemi, në vend që të merret me vërtetësinë e raportimit, po përpiqet të vërë në pikëpyetje identitetin e personave që e kanë denoncuar rastin.
“Ilmiut dhe kryetarit të tij i urojmë lehtësira në raportim te organet e rendit. Unë jam veç ni aktivist që e mbroj interesin publik, tash e 10 vite, me aq sa di e sa muj”, ka shkruar Hoxha.
Në fund të reagimit, ai ka paralajmëruar se hulumtimi lidhur me këtë çështje do të publikohet së shpejti.
Ende nuk dihet nëse institucionet kompetente kanë nisur ndonjë hetim lidhur me këtë rast.








