Medi
KOSOVËLAJME

Mesazhet që zbulojnë dosjen e Banjskës: “Dardhat” për granatat, skema e grupit, lëvizjet para sulmit dhe përpjekjet për të hyrë në dosjen e hetimeve

Një fotografi e korrikut 2023, ku emri i tij shfaqet në strukturën e një grupi të organizuar. Dhjetëra telefonata me persona të akuzuar për sulmin në Banjskë. Biseda për granata, jelekë antiplumb dhe automjete. Udhëtime të përbashkëta drejt Serbisë, mesazhe vetëm një ditë para vrasjes së Afrim Bunjakut dhe komunikime të mëvonshme për sigurimin e informatave nga hetimet. Këto janë disa nga provat mbi të cilat Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndërtuar aktakuzën e re ndaj Stefan Radulovićit, duke pretenduar se lidhja e tij me grupin e Banjskës ishte shumë më tepër sesa një njohje e rastësishme.

Sinjali ka siguruar aktakuzën 99-faqëshe të Prokurorisë Speciale, të datës 23 tetor 2026, e cila zbulon hollësi të panjohura të hetimit për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti dhe u lënduan disa zyrtarë të tjerë policorë.

Dukato 1

Në qendër të këtij hetimi është Stefan Radulović, i njohur me pseudonimet “Telje”, “Stefi” dhe “Radule”, ndaj të cilit janë ngritur akuza për kryerjen e veprës terroriste dhe për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Por aktakuza e re nuk kufizohet në përshkrimin e sulmit të armatosur apo identifikimin e pjesëtarëve të grupit.

Në pjesën kushtuar përgjegjësisë individuale, Prokuroria përpiqet të rindërtojë rrugën që, sipas saj, e lidh Radulovićin me strukturën e organizuar, përgatitjet logjistike, lëvizjet e përbashkëta dhe komunikimet që vazhduan edhe pas sulmit.

Ajo që e bën dosjen veçanërisht interesante është se një pjesë e provave nuk janë siguruar nga telefoni i vetë Radulovićit, por nga pajisjet e personave të tjerë të përfshirë në hetim, përmbajtja e të cilave më pas është krahasuar me të dhënat kufitare dhe materialet e sekuestruara.

Nga fotografia e grupit te 45 telefonatat

Një prej provave që Prokuroria e vendos në fillim të arsyetimit të përgjegjësisë individuale është fotografia e 25 korrikut 2023, e gjetur në telefonin e Marjan Radojevićit.

Sipas aktakuzës, fotografia paraqet strukturën organizative dhe udhëheqëse të grupit, ku Stefan Radulović figuron në grupin e parë, nën komandën e Stojan Antosijevićit, me numrin rendor tre.

Ky dokument, sipas Prokurorisë, nuk e provon i vetëm pjesëmarrjen në veprimtari terroriste, por merr rëndësi në lidhje me komunikimet që pasuan.

Në telefonin Samsung Galaxy A12, të gjetur në automjetin e Stefan Jovanovićit, hetuesit kanë evidentuar një kontakt me emrin “Telje”, të cilin e kanë identifikuar si Radulovićin.

Nga analiza e pajisjes rezultojnë 45 telefonata mes tyre në periudhën qershor–shtator 2023, si dhe komunikime përmes Viberit deri më 23 shtator, vetëm një ditë para sulmit.

Sipas Prokurorisë, komunikimet ishin intensifikuar nga 7 shtatori, ndërsa përmbajtja e tyre lidhej me çështje që më vonë u bënë pjesë e hetimit për përgatitjen dhe organizimin e sulmit.

Në mesin e tyre gjenden diskutime për automjete, çanta, pajisje mbrojtëse dhe lëvizje të personave të identifikuar në aktakuzë.

Një prej këtyre bisedave ka tërhequr veçanërisht vëmendjen e hetuesve.

“A i ke shti dardhat?” – çfarë fshihej pas fjalës së përdorur në komunikime?

Në komunikimin e 7 shtatorit 2023, Stefan Jovanović e pyet Radulovićin nëse i kishte “shti dardhat”.

Radulovići përgjigjet se ende nuk e kishte përfunduar punën.

Sipas interpretimit të Prokurorisë, shprehja “dardhat” në këtë komunikim i referohej granatave të dorës.

Në bisedat e së njëjtës periudhë përmenden edhe jelekë antiplumb, çanta dhe automjete.

Prokuroria pretendon se Radulovići kishte rol në organizimin e disa prej këtyre çështjeve logjistike, ndërsa në komunikime përmendet edhe udhëtimi i tij me Miloš Kragovićin, të njohur si “Kragger”.

Një element tjetër që Prokuroria e konsideron mbështetës është jeleku antiplumb “Bristol Armour”, i sekuestruar më vonë në banesën e Radulovićit.

Për hetuesit, rëndësia nuk qëndron vetëm te biseda për jelekët apo te gjetja e një jeleku në banesë, por te përputhja që pretendohet ndërmjet komunikimit dhe sendit të sekuestruar.

Ky është një prej shembujve se si Prokuroria përpiqet t’i lidhë bisedat elektronike me prova materiale.

Udhëtimet që përputhen me bisedat për koordinimin e grupit

Më 16 shtator 2023, tetë ditë para sulmit, në komunikimet e analizuara përmenden koordinimi i nisjes, koha e arritjes në një lokacion dhe bashkimi me pjesëtarë të tjerë.

Në njërën prej bisedave, Stefan Jovanović shprehet se kishte ardhur koha për t’ua kthyer të tjerëve me të njëjtën monedhë, ndërsa Radulovići, sipas interpretimit të Prokurorisë, i përgjigjet në mënyrë miratuese.

Në një komunikim tjetër, Radulovići thotë se do ta njoftojë Jovanovićin për kohën e nisjes pasi të koordinohet me Radak Adžićin.

Këto biseda janë krahasuar me të dhënat zyrtare të Sistemit për Menaxhimin e Kufirit.

Sipas regjistrave të cituar në aktakuzë, Radulovići kishte dalë nga Kosova më 14 shtator, përmes Jarinjës, së bashku me Stefan Jovanovićin dhe Radak Adžićin.

Një ditë më vonë ishte kthyer me Adžićin, ndërsa më 16 shtator kishte dalë përsëri nga Kosova, këtë herë së bashku me Jovanovićin, Adžićin dhe Matija Pavlovićin.

Për Prokurorinë, këto udhëtime përbëjnë një hallkë të rëndësishme, sepse lëvizjet e dokumentuara përputhen në kohë me bisedat për koordinimin e nisjes dhe lëvizjet e përbashkëta.

Megjithatë, vetë kalimi kufitar nuk përbën provë të veprës penale. Rëndësia e tij, sipas aktakuzës, nxirret nga lidhja me provat e tjera.

Mesazhi një ditë para sulmit

Një prej detajeve më të rëndësishme të dokumentit lidhet me datën 23 shtator 2023.

Atë ditë, vetëm disa orë përpara se në Banjskë të zhvillohej sulmi, Radulovići kishte komunikuar me Stefan Jovanovićin.

Sipas aktakuzës, ai kishte njoftuar se po nisej drejt Novi Pazarit.

I pyetur se me kë ndodhej, ishte përgjigjur:

“Me Stojanin, Radakun dhe Dekcon.”

Prokuroria e identifikon Stojanin si Stojan Antosijević dhe Radakun si Radak Adžić, ndërsa personi i përmendur si “Dekco” mbetet i paidentifikuar.

Kjo bisedë konsiderohet e rëndësishme, pasi e vendos Radulovićin në shoqëri të personave që figurojnë në hetimin e Banjskës vetëm një ditë para sulmit.

Sipas Prokurorisë, kur kjo e dhënë vlerësohet së bashku me fotografinë e strukturës, komunikimet për pajisje dhe lëvizjet kufitare, krijohet një vijimësi që duhet marrë parasysh për përcaktimin e rolit të tij.

Kërkimet për aktivizimin e mjeteve shpërthyese

Në telefonin Huawei P20 të Radulovićit, hetuesit pretendojnë se kanë identifikuar edhe kërkime në internet për pajisje telefonike që mund të përdoreshin për aktivizimin e bombave dhe mjeteve shpërthyese.

Kjo e dhënë është krahasuar me materiale të tjera të sekuestruara gjatë hetimeve, përfshirë pajisje që lidhen me aktivizimin në distancë të mjeteve shpërthyese.

Prokuroria e përfshin këtë element në grupin e provave elektronike për të cilat pretendon se ndihmojnë në vlerësimin e njohurive dhe interesimit teknik të të akuzuarit.

Nuk është konstatuar përfundimisht se kërkimet kanë rezultuar në përdorimin e ndonjë pajisjeje të caktuar gjatë sulmit.

Dy vjet pas Banjskës, komunikimet vazhdonin

Pjesa tjetër e aktakuzës merr një drejtim veçanërisht interesant.

Hetuesit kanë analizuar komunikime të Radulovićit edhe gjatë viteve 2025 dhe 2026, për të cilat Prokuroria pretendon se mund të ndihmojnë në sqarimin e sjelljes së tij pas sulmit dhe të shpjegimeve për udhëtimet e vitit 2023.

Në tetor 2025, pasi autoritetet kishin ndërmarrë veprime për lokalizimin e tij, Radulovići kishte nisur të diskutonte me mikun e tij Zarija Radovanović për mbështetje juridike dhe zhvillimet e mundshme në çështjen e Banjskës.

Në këto komunikime ishte trajtuar edhe mënyra se si do të shpjegohej largimi i tij nga Kosova më 16 shtator 2023.

Përmendeshin studimet e doktoraturës në Nish, një ndërhyrje dentare dhe rrethana të tjera personale.

Në biseda ishte diskutuar edhe mundësia që udhëtimi i përbashkët me persona të tjerë të shpjegohej si takim rastësor gjatë rrugës.

Prokuroria i konsideron këto komunikime relevante sepse janë zhvilluar përpara intervistimit të Radulovićit në Polici, më 17 prill 2026, ndërsa shpjegimet e diskutuara mund të krahasohen me deklarimet e tij të mëvonshme.

Kjo është një nga pjesët ku hetuesit përpiqen të ballafaqojnë versionin e të akuzuarit me regjistrat kufitarë dhe komunikimet e sekuestruara.

“Me këta kam dalë unë nga atje”

Një komunikim i 26 nëntorit 2025 zë vend të veçantë në aktakuzë.

Atë ditë, pas publikimit në mediat e Kosovës të materialeve që pasqyronin strukturën e grupit të Banjskës dhe identitetin e Stefan Jovanovićit, Radulovići ia kishte përcjellë këto materiale mikut të tij.

Në mesazhin e shkruar në serbisht, ai kishte deklaruar:

“Ту сам са њима изашао” – “Me këta kam dalë unë nga atje”.

Prokuroria e lidh këtë deklarim me të dhënat e 16 shtatorit 2023, kur ai kishte kaluar kufirin së bashku me Jovanovićin dhe Adžićin.

Në të njëjtën periudhë, Radulovići kishte kërkuar nga Stojan Antosijevići fotografinë e listës që paraqiste strukturën e grupit.

Dy ditë më vonë, më 28 nëntor 2025, sipas aktakuzës, ai i kishte dërguar Antosijevićit edhe një mesazh pendese.

“Na ndihmoftë Zoti… më falni çfarë bëra me vetëdije dhe pa vetëdije… me fjalë e me vepra.”

Prokuroria e trajton këtë komunikim në kuadër të marrëdhënieve të vazhdueshme të Radulovićit me personat e përfshirë në hetim.

Përmbajtja dhe kuptimi i këtij mesazhi do të jenë çështje të vlerësimit gjyqësor, së bashku me provat e tjera.

Përpjekjet për të siguruar informacione nga hetimet

Një tjetër pjesë me interes të veçantë lidhet me komunikimet rreth informatave që mund të siguroheshin për çështjen e Banjskës.

Sipas aktakuzës, më 29 tetor 2025, Radovanović i kishte përcjellë Radulovićit komunikime me avokaten Jelena Krivokapić, në të cilat përmendej një takim i planifikuar me drejtuesin e EULEX-it për marrjen e informatave lidhur me çështjen.

Pas kësaj, Radulovići kishte kërkuar që historiku i bisedës të fshihej dhe për komunikimin të mos njoftohej askush.

Në komunikime të mëvonshme përmendet edhe një person me nofkën “Murga”, për të cilin diskutohej mundësia që të udhëtonte në Prishtinë dhe, duke shfrytëzuar lidhjet e tij, të siguronte informacione nga dosja e Policisë së Kosovës.

Aktakuza nuk provon se ndonjë zyrtar i Policisë apo EULEX-it ka nxjerrë informacione të klasifikuara. Ajo dokumenton komunikime në të cilat diskutohej mundësia e sigurimit të informatave për hetimin.

Rëndësia e tyre, sipas Prokurorisë, qëndron te interesimi i të akuzuarit për përmbajtjen e dosjes dhe kërkesat për fshirjen e komunikimeve.

Çfarë e lidh konkretisht Radulovićin me sulmin?

Në pjesën përmbyllëse të aktakuzës, Prokuroria Speciale përmbledh arsyet pse pretendon se Radulovići duhet të përgjigjet penalisht për veprimtarinë e grupit të Banjskës.

Sipas saj, lidhja e tij nuk mbështetet te një kontakt telefonik, një fotografi apo një udhëtim i vetëm.

Ajo ndërtohet përmes një vargu rrethanash që, sipas Prokurorisë, plotësojnë njëra-tjetrën.

Fotografia e korrikut e paraqet emrin e Radulovićit në strukturën e grupit. Komunikimet e shtatorit përmbajnë biseda për pajisje dhe lëvizje. Të dhënat kufitare dokumentojnë udhëtime të përbashkëta. Jeleku antiplumb përputhet me pajisjet e përmendura në biseda, ndërsa komunikimi i 23 shtatorit e lidh atë me pjesëtarë të grupit vetëm një ditë para sulmit.

Pikërisht këtu qëndron edhe thelbi juridik i aktakuzës: Prokuroria nuk pretendon se Radulovići duhet të mbajë përgjegjësi vetëm pse i njihte personat e përfshirë, por për kontributin konkret që ajo pretendon se ia ka identifikuar në veprimtarinë e organizuar.

Sipas argumentimit të saj, përgjegjësia penale nuk kushtëzohet domosdoshmërisht me provën se i akuzuari ka përdorur personalisht një armë të caktuar apo se është identifikuar fizikisht në çdo pozicion të sulmit.

Ajo kërkon të vërtetohet pjesëmarrja e vetëdijshme dhe kontributi i tij në veprimtarinë e përbashkët.

Kjo është çështja që Prokuroria do të duhet ta provojë gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe mbi të cilën mbrojtja do të ketë mundësinë të kundërshtojë provat dhe interpretimet e saj.

Sulmi që synonte më shumë sesa vrasjen e një polici

Sipas aktakuzës, më 24 shtator 2023, një grup i organizuar dhe i pajisur me armatim të rëndë kishte bllokuar rrugën në Banjskë me dy kamionë, para se të sulmonte zyrtarët policorë që kishin shkuar për ta liruar rrugën.

Në atë sulm mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti dhe u lënduan zyrtarë të tjerë.

Prokuroria pretendon se grupi kishte synuar destabilizimin e rendit kushtetues, shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë.

Për këtë sulm, më 11 shtator 2024, ishin ngritur akuza ndaj Milan Radoičićit dhe dhjetëra personave të tjerë.

Më 24 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Blagoje Spasojevićit, Vladimir Tolićit dhe Dušan Maksimovićit, ndërsa procedura ndaj personave të tjerë kishte mbetur e veçuar.

Me aktakuzën e re ndaj Stefan Radulovićit, Prokuroria Speciale synon të provojë edhe përgjegjësinë e tij individuale për veprimtarinë e grupit.

Dosja prej 99 faqesh tashmë paraqet një zinxhir komunikimesh, lëvizjesh dhe provash që, sipas Prokurorisë, e lidhin të akuzuarin me përgatitjet e sulmit. Nëse ky zinxhir është i mjaftueshëm për të provuar përgjegjësi penale, mbetet të vendoset nga gjykata.

Stefan Radulovići ndodhet në paraburgim që nga 18 prilli 2026 dhe gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Active