
Një shkollë në fshatin Leshak të Leposaviqit është përballur me një alarm për bombë, pasi një mësimdhënës ka pranuar një mesazh kërcënues në email-in zyrtar të shkollës.
Rasti është raportuar më 28 tetor, rreth orës 07:17, kur ankuesi ka njoftuar Policinë se në mesazhin e pranuar thuhej se brenda objektit shkollor ishte vendosur një bombë, njofton Mitropol.
Pas marrjes së informatës, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, duke evakuuar nxënësit dhe personelin e shkollës.
Objekti është kontrolluar nga njësitë policore për deminim dhe Njësia K9, por gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Në konsultim me prokurorin, rasti është iniciuar si “Lajmërim i rremë”, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave vazhdojnë.








