
Jetullah Aliu, ish-shef i hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës, ka kërkuar veting të Policisë së Kosovës pas vrasjes së Arlinda Zekajt nga ish-kunati i saj në Vitomiricë të Pejës.
Ai tha se ka mangësi në trajnimin e zyrtarëve të rinj policorë, ndërsa tregoi se ka pasur raste kur një zyrtari policor, pa kryer trajnimin fushor, i janë deleguar detyra të ndjeshme.
“Nuk duhet me u ndalë me dorëheqjen e Drejtorit të Policisë së Kosovës. Është i domosdoshëm dhe duhet sa më parë të bëhet një veting. Gjithçka ka kaluar në neglizhencë. Është shumë e madhe neglizhenca… A e din çka ndodh kur zyrtari policor certifikohet? Disa prej tyre, pa trajnim fushor kalojnë në detyra të ndjeshme. Pas certifikimit këta i kanë dy vite që, paralelisht duhet të kenë një mbikëqyrës dhe asnjë tiketë nuk duhet ta bëjë pa u këshilluar me mbikëqyrësin. Na kemi raste edhe në pjesën veriore, që është situata më e ndjeshme, ku vendosen disa zyrtarë pa përvojë”- tha Aliu në KallxoPërnime.
“Suspendimi nuk është masë administrative. Policia duhet vetveten me e ndreq. Është edhe një fenomen: rekrutimet e fundit nuk kalojnë ashtu si duhet dhe zyrtarët kalojnë nëpër trajnime që nuk janë të mjaftueshme”- ka deklaruar ish-shef i hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës.
Në edicionin e sotëm të emisionit “Kallxo Përnime” po diskutohet për refuzimin e dorëheqjeve pas vrasjes së Arlinda Zekajt nga ish-kunati i saj.
Në emision janë të ftuar krahas Liridona Sijarinës janë edhe Muharrem Prekazi nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, Jetullah Aliu, ish-shef i hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Kreshnik Gashi, kryeredaktor në KALLXO.com.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Dorëheqja e tij vjen në kohën kur institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë po përballen me kërkesa për përgjegjësi institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës më 25.10.2026.
Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar kërkesën për dorëheqje të Hoxhës dhe e ka liruar atë nga detyra, ndërsa ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës ka caktuar Fehmi Hotin, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.
Një ditë para dorëheqjes së Hoxhës, Policia e Kosovës kishte njoftuar për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), lidhur me mënyrën se si ishte trajtuar rasti i Arlinda Zekajt.
Në mesin e të suspenduarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, zyrtarë të tjerë udhëheqës, si dhe katër hetues policorë.
Masat nuk janë kufizuar vetëm në Policinë e Kosovës. Edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në mbledhjen e jashtëzakonshme të 29 tetorit, ka vendosur suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, si dhe prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila ishte prokurore e rastit të Zekajt dhe njëkohësisht koordinatore për rastet e dhunës në familje.
Vrasja e Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës ka nxitur reagime publike dhe protesta, me kërkesa për zbardhjen e përgjegjësive të institucioneve që ishin marrë me rastin e saj.
Kuvendi i Kosovës ka formuar gjithashtu një Komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet institucionale.
Këshilli Prokurorial i Kosovës dje më 29.10.2026 ka marrë vendim për suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë së Pejës, Lumturije Vuçetaj dhe zv.kryeprokurores së Pejës, njëherësh koordinatores për dhunë në familje, Arlinda Nallbani Gacaferri.
Ky vendimi është marrë nga KPK në një mbledhje të jashtëzakonshme, e cila u mbajt me dyer të mbyllura për mediat. Mbledhja u mbajt disa ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim që të caktojë për ushtruese të Detyrës së Kryeprokurores në Prokurorinë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosajn.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Burim Ramadani nga Aleanca do të jetë kryesues i Komisionit. Nga Lëvizja Vetëvendosje, në komision janë Adnan Rrustemi, në pozitën e zëvendëskryesuesit, si dhe Armend Baloku, Adelina Tershani, Osman Musliu dhe Arjeta Rexhepi, si anëtarë.
Nga PDK-ja, pjesë e komisionit janë Besa Kabashi-Rama dhe Eman Rrahmani, ndërsa nga LDK-ja, Doarsa Kica-Xhelili.
Në përbërje të komisionit janë edhe Jovana Radosavljeviq nga Lista Serbe dhe Emilija Rexhepi nga Grupi Multietnik.








