
Ish-anëtari i Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë, Njazi Ajvazi, është emëruar në pozitën e Sekretarit të Dytë në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Kopenhagë të Danimarkës.
Emërimi i tij është bërë përmes një vendimi të datës 15 maj 2026, të nënshkruar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Në vendimin që e ka siguruar gazeta Nacionale, Ajvazi është caktuar të shërbejë në Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë me mandat katërvjeçar.
Në dokument thuhet se ai do të fillojë realizimin e detyrave dhe obligimeve të tij nga data 3 gusht 2026.
“1. Z. Njazi Ajvazi me gradën funksionale Sekretar i Dytë, caktohet të shërbejë në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Kopenhagë, Mbretëria e Danimarkës me mandat katër (4) vjeçar. 2. Z. Njazi Ajvazi fillon realizimin e detyrave dhe obligimeve të tij në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Kopenhagë, Mbretëria e Danimarkës, nga data 03.08.2026”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryediplomati Glauk Konjufca.

Njazi Ajvazi ka qenë nga aktivistët më të zellshëm të partisë Guxo në Mitrovicë.
Para disa viteve, ai ka qenë pjesë e strukturave të Listës Guxo në Mitrovicë, ku mban pozitën e anëtarit të Kryesisë së kësaj partie.
Ky nuk është “shpërblimi” i parë që Ajvazi merr nga pushteti i Qeverisë Kurti.
Në ministri të Punëve të Jashtme ai ishte punësuar në vitit 2022, në kohen kur kjo ministri drejtohej nga Donika Gërvalla.
Më 30 tetor të vitit 2022, ai ishte punësuar në MPJD si zyrtar i shërbimit të jashtëm.
Sipas njoftimit për kandidatët fitues, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, Ajvazi kishte marrë më sa paku pikë nga kandidatët e pranuar.

Aktivisti i Listës Njazi Ajvazi është vetëm njeri nga njerëzit e afërt të pushtetit që kanë përfituar postë të rëndësishëm në diplomaci në fillim të këtij viti.
Ndryshe, ish-anëtari i Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë, Njazi Ajvazi, kishte marrë një kontratë mbi 50 mijë euro nga ministria që udhëhiqej nga kryetari i degës së Listës Guxo në Mitrovicë, Faton Peci, tash kryetar i Partisë.
Agjencia Pyjore e Kosovës (APK) që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), e cila drejtohej atëbotë nga Faton Peci, i kishte dhënë kontratë me vlerë 54 mijë euro Njazi Ajvazit, i cili ishte anëtar i Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë.
Ankesat e punëtorëve të kësaj zyre se objekti nuk i plotësonte kushtet e nevojshme për punë, nuk kishin ndikuar në nënshkrimin e kësaj kontrate.
Kontrata, kishte të bënte me marrjen e një lokali me qira në Rekë të Mitrovicës për nevojat e Drejtorisë për Koordinimin e APK-së në Mitrovicë.
Kontrata parashuhte që Agjencia Pyjore e Kosovës, Ajvazit t’ia paguajë 900 euro në muaj, për një kohëzgjatje prej 5 vitesh. Kontrata parashihte edhe mundësinë e vazhdimit të saj.
Sipas nenit të parë të kontratës, qiradhënësi (Ajvazi) i jepte me qira qiramarrësit (KAP) zyrat të cilat gjenden në Mitrovicë, rruga “Shala e Bajgorës”, të cilat do të shfrytëzoheshin për zyrat për nevojat e Drejtorisë për Koordinimin e APK-së në Mitrovicë.
Objekti i kontraktuar kishte sipërfaqe të përgjithshme prej 478 metra katrorë, prej tyre 195 metra katrorë ishin zyre, ndërsa pjesa tjetër ishte parking (për 8 automjete).
Në nenin 4 të kontratës, thuhej se qiraja fillon të rrjedhë prej datës 1 korrik dhe do të zgjasë deri më 30 qershor të vitit 2027.
APK-ja e arsyetonte kontratën
Zëvendës-kryeshefiI i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Bekim Hoxha, pati thënë se përfituesi i kontratës i kishte plotësuar të gjitha kushtet.
“Lidhur me objektin me qira në DKR-Mitrovicë pas skadimit të kontratës nga OE-personi fizik znj. Bukurije Dobra e cila nuk kishte interesim për vazhdimin e kontratës e cila ka skaduar me dt: 30.06.2022 , ne si APK kemi qenë të obliguar që të sigurojmë zyra për stafin e DKR-Mitrovicë konform kërkesës së Drejtorit z. Agim Dervishaj, DKR-Mitrovicë. Në mbështetje të kërkesës së dt: 01.06.2022 me NP- 2282 nga drejtori i DKR-Mitrovicës, z. Agim Dervishaj, është nxjerrë vendimi me dt: 07.06.2022 me NP-2387 mbi emërimin e komisionit për përzgjedhjen e objektit-lokacionit për zyra të DKR të APK-së Mitrovicë dhe konform kritereve te përcaktuara me këtë vendim”, kishte deklaruar Hoxha.
Sipas tij, kontrata e nënshkruar i kishte plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.
“Komisioni i emëruar nga zv. Kryeshefi Ekzekutiv me dt: 09.06.2022 ka vizituar disa (6) objekte në qytetin e Mitrovicës dhe po i njëjti ka konstatuar se nga këto 6 objekte asnjëra nuk plotëson kushtet konform kritereve te përcaktuara ne Vendim. Përsëri me dt; 16.06.2022 komisioni ka vizituar disa objekte tjera në qytetin e Mitrovicës dhe gjashtë (6) OE-persona fizikë dhe juridikë kanë sjellë ofertat e tyre dhe më pas komisioni pas vlerësimit dhe krahasimit të ofertave ka bërë përzgjedhjen dhe rekomandimin për OE-personin fizik i cili plotësonte kriteret konform vendimit dhe njëherit kishte ofertën me çmimin më të ulët”, ishte shprehur ai.
Më tej, ai pati përmendur edhe emrat e pesë kompanive tjera që parën aplikuar për nënshkrimin e kësaj kontrate, por, sipas tij, kane qenë më të shtrenjta.
“Kontrata është nënshkruar me z. Njazi Ajvazi i cili plotësonte kriteret e kërkuara nga drejtori i DKR-se në Mitrovicë z. Agim Dervishaj dhe kishte çmimin më të ulët”, kishte thënë Hoxha.
Ajvazi pati mohuar se politika e ka favorizuar për ta përfituar kontratën e qirasë për vlerë prej 54 mijë eurosh.
Ajvazi pati thënë se kontrata është nënshkruar sipas kritereve të kërkuara.
“Po, është kontrata. Çdo send është transparent dhe në bazë të kontratës. Të gjitha janë të plotësuara 100 për qind sipas kontratës”, kishte thënë ai për gazetën Nacionale.
Ai kishte mohuar se në atë kohë ishte zyrtar i subjektit politik “Lista Guxo”.
“Jo nuk jam zyrtar unë, jam njeri privat”, ishte shprehur ai, duke thënë se më herët ka qenë nëpër parti të ndryshme.
Por kur është zgjedhur Faton Peci kryetar i degës së Listës Guxo në Mitrovicë, qiradhënësi i Ministrisë ishte zgjedhur anëtar i kryesisë.
Kontrata për objektin ishte anuluar më pas pasi Ministrinë e Bujqësisë e mori nën udhëheqje Armend Muja i cili i barti zyrat në veri të Mitrovicës./Mitropol/








