Homazhe për futbollistin nga Mitrovica Xhevat Prekazi, Galatasaray sjell fanellën e klubit në nderim të tij

Në stadiumin e Partizanit në Beograd është mbajtur mbledhja komemorative në nderim të Xhevat Prekazit që ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare.
Në mesin e të pranishmëve ishin familjarë, ish-bashkëlojtarë, personalitete të futbollit, si dhe një delegacion i Galatasarayt, klub ku Prekazi gjithashtu la gjurmë të jashtëzakonshme.

Në emër të Partizanit, drejtori i përgjithshëm Danko Lazovic shprehu ngushëllimet për familjen dhe e vlerësoi kontributin e tij të madh për klubin, shkruan mediumi “Nova”.
Emocionuese ishte edhe fjala e zëvendëspresidentit të Galatasarayt, Sedat Artukoglu, i cili e kujtoi rëndësinë e Prekazit për gjigantin turk.
“Disa futbollistë vetëm e bartin fanellën e një klubi, ndërsa të tjerët bëhen pjesë e historisë së tij. Prekazi ishte njëri prej tyre. Nuk do t’i harrojmë kurrë golat dhe gëzimet që na dhuroi”, deklaroi ai.
Përfaqësuesit turq e sollën edhe fanellën e Galatasarayt, e cila do të vendoset pranë tij në varrim.
Ish-bashkëlojtari Aca Trifunovic i kujtoi vitet e përbashkëta te Partizani, titullin e vitit 1976 dhe golat spektakolarë të Prekazit.
“Për shtatë vite e ndamë zhveshtoren. Preki kishte një dhunti që nuk mësohet, këmbën e majtë dhe goditjen e fuqishme. Faleminderit për gjithçka që na dhurove”, u shpreh ai.
Mbledhja komemorative përfundoi me një video kushtuar jetës dhe karrierës së tij.








