
Policia e Kosovës përmes një aksioni për sekuestrimin e aparateve të kriptovalutave, ka arritur që në Mitrovicë të sekuestroj 67 aparate për prodhimin e kriptovalutave, shkruan Mitropol.
Aksioni i Policisë së Kosovës është zhvilluar në rrugën “Fan Noli”, në qytetin e Mitrovicës, me ç’rast policia ka arritur ta identifikoj edhe personin e dyshuar.
Për këtë aksion, Policia e Kosovës ka njoftuar përmes një postimi në Facebook.
Postimi i plotë:
Policia në Mitrovicën e Jugut sekuestron 67 aparate për prodhimin e kriptovalutave
Mitrovicë, 6 janar 2022
Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut, nën dyshime të arsyeshme për veprimtari të kundërligjshme në orët e pasdites së sotme kanë realizuar një bastisje.
Si rezultat i hetimeve është arritur të lokalizohet dhe identifikohet lokacioni, me ç’rast bastisja është realizuar në një banesë në rrugën ‘Fan Noli’ në Mitrovicën e Jugut. Gjatë bastisjes për veprimtari të kundërligjshme janë gjetur dhe sekuestruar 67 aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave.
Për pajisjet e gjetura dhe veprimtarinë e kundërligjshme hetuesit policor kanë identifikuar personin e dyshuar.
Lidhur me veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e sekuestruara është njoftuar prokuroi i çështjes i cili ka sugjeruar që për veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin dhe pajisjet e sekuestruara të merren autoritetet doganore.







