Aurora Group
02LAJME

A është emërimi i Bislim Imerit në bordin e Stacionit të Autobusëve kompromisi mes PDK dhe VV?

Për publikun mitrovicas tashmë është i njohur fakti se PDK ka nisur emërimet me të njofshëm duke filluar nga anëtarët e rinj të bordit të NP “Stacionit të Autobusëve”, emërime këto që dyshohet se janë kryer me besatimin nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Mitropol” para ca ditësh njoftoi se Komuna e Mitrovicës ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve që kanë kaluar me sukses vlerësimin për të qenë anëtarë të bordit në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve” SH.A.

Mirëpo, jo gjithçka ishte në rregull pasi thuajse të gjithë të përzgjedhurit që kishin kaluar vlerësimin nga Komisioni i Aksionerëve janë njerëz të afërm të pushtetit, me përjashtim njërin.

Bislim Imeri, ish-anëtar i AKR-së, tashmë anëtar i VV-së nga viti 2019 po shihet si pika e kompromisit mes pushtetit dhe opozitës në Mitrovicë.

Medi

Komisioni i Aksionerëve i përbërë nga Drejtori i Prokurimit, Elvis Feka, asambleistja e PDK-së, Florina Xhemajli Çitaku dhe asambleisti i VV-së, Kushtrim Zeneli, me pikë maksimale kanë vlerësuar Bislim Imerin, ish-kryesues i Kuvendit Komunal nga radhët VV-së, gjë që jep indikacione të mjaftueshme për ndikim politik në përzgjedhje dhe për kompromise politike mes PDK-së dhe VV-së.

Menjëherë pas tij, me 95 pikë radhitet një emër tjetër, e afërmja e kryetarit Bedri Hamza, ish-kandidatja e PDK-së për Asamblenë Komunale në Veri, Naxhije Hamza Xhema.

Pas Xhemës, nga Komisioni i Aksionerëve me 94 pikë gjithsejt është vlerësuar ish-basketbollisti, Naim Hajrizi i cili ishte zv.kryeshef i kësaj ndërmarrjeje gjatë viteve 2012-2015, në kohën sa në krye të Komunës së Mitrovicës ishte PDK me Avni Kastratin kryetar.

Emri i katërt i afërt me pushtetin dhe përkrahëse e PDK-së edhe në zgjedhjet lokale është Diellza Uka, e vlerësuar me gjithsejt 86 pikë.

Siç shihet edhe në listën e siguruar nga “Mitropol”, për këtë bord kishin aplikuar gjithsej 12 persona, 2 prej të cilëve kanë munguar në intervistë.

Në lidhje me këto emërime kishte refuzuar të flasë kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza.

I pyetur në lidhje me emërimin e bordit ai pati se ishte ditë vikendi dhe s’ka pranuar asgjë zyrtare.

“Jo vallahi sot vikend, ende s’kam pranu diçka zyrtare. Po, bisedojmë gjatë javës.”, kishte thënë Hamza për “Mitropol”.

E i paçasshëm në telefon për portalin ishte drejtori i Prokurimit, Elvis Feka.

Ne kemi kontaktuar edhe me anëtarin e Komisioni të Aksionerëve nga VV, Kushtrim Zeneli, i cili ka mohuar të ketë ndikuar vet ai në përzgjedhjen e ndonjë kandidati.

Ai ka vlerësuar se kandidatët përgjithësisht kanë qenë të përgatitur dhe me përvojë menaxheriale dhe kanë treguar performancë të mirë në intervistë.

”Mitropol” tashmë ka dërguar edhe kërkesë për çasje në dokumente publike për ta parë vlerësimin e kandidatëve dhe për ta verifikuar nëse përgatitja e tyre profesionale përputhet me kriteret e konkursit, të dhëna këto që do i publikojmë në momentin që t’i posedojmë zyrtarisht.

Bazuar në ligjin për ndërmarrjet publike kërkohet që së paku dy nga drejtorët të kenë të përfunduar shkollimin në fushën e kontabilitetit ose të jenë njohës të fushës si dhe kërkohet që të katër drejtorët të kenë së paku 5 vite përvojë pune në poste menaxheriale.

Kandidatët e pakënaqur me vlerësim të rezultateve mund të parashtrojnë ankesë në afatin prej 8 ditësh nga dita e njoftimit.

Ankesa parashtrohet pranë komisionit kompetent per shqyrtimin e ankesave ne Komunën e Mitrovicës, gjersa vendimi u publikua më 8 korrik 2022./Mitropol/

Weelnes