Abdixhiku: 75 ditë pa Ministër të Shëndetësisë, as edhe një ministër s’mund ta caktojnë

Janë bërë 75 ditë që kur ish ministri i shëndetësisë në Kosovë ka nënshkruar dorëheqjen, shkruan “Mitropol”.
Opozita pa dyshim që nuk do t’a lëshonte një rast si ky për të “sulmuar” Qeverinë lidhur me papërgjegjësinë mbi këtë qështje.
Si rrjedhojë, i pari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka dalur me një postim në profilin e tij duke u shprehur se Qeveria e tanishme nuk është në gjendje të zgjedh as edhe një përgjegjës në krye të sektorit më të rëndësishëm të shoqërisë kosovare.
“Ndërsa, do të duhej të flisnim për spitale të reja, pajisje e barna më shumë, paga më të larta, shërbime më të denja e sigurime shëndetësore për qytetarë që shpenzojnë qindra miliona euro jashtë vendit – ne jemi në pritje të një ministri pas 75 ditëve”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij.
Postimi i plotë:
Sot bëhen 75 ditë që Kosova nuk ka Ministër të Shëndetësisë; të tretin në më pak se dy vite qeverisje. Plot 75 ditë për të caktuar një përgjegjës – një njeri të vetëm – në krye të sektorit më të rëndësishëm të shoqërisë kosovare.
As kaq pak s’mund të bëjnë! As kaq pak s’mund t’i japin shëndetësisë. Ndërsa, do të duhej të flisnim për spitale të reja, pajisje e barna më shumë, paga më të larta, shërbime më të denja e sigurime shëndetësore për qytetarë që shpenzojnë qindra miliona euro jashtë vendit – ne jemi në pritje të një ministri pas 75 ditëve. Dhe as kaq pak s’mund të bëjnë; as edhe një ministër ta caktojnë.
Qeveri e paaftë. Qeveri e papërgjegjshme.
Skandalet në spitalet tona kanë adresë!








