Abdixhiku për pronat e Manastirit të Deçanit: Kurti me kauza të rrejshme ka ardhur në pushtet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka mirëpritur vendimin djeshëm të Qeverisë së Kosovës për sa i përket Manastirit të Deçanit. Abdixhiku tha se vendimet e Kushtetueses janë të pakontestueshme dhe si të tilla duhet që të zbatohen.
Ai tha se ky ka qenë gjithherë qëndrim i LDK-së.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë të pakontestueshme dhe kur them të pakontestueshme nënkupton që ato janë edhe të zbatueshme. Është shenjë e pjekurisë politike fillimisht për një shtet dhe një shoqëri dhe ky ka qenë qëndrimi ynë i gjithhershëm si LDK”, tha ai.
Ai foli edhe për qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj kësaj çështje ndër vite.
Kryetari i LDK-së tha se Kurti posa erdhi në pushtet e ka kuptuar që kauzat e rrejshme nuk qëndrojnë dhe se si të tilla janë të dëmshme.
“Fatkeqësisht z.Kurti ka zgjedhur me vetëdije të plotë kauza të tilla të rrejshme, ndërtoi bazën për të ardhur në pushtet dhe tani në pushtet ka kuptuar se kauzat e rrejshme nuk qëndrojnë por gjithsesi ato janë të dëmshme. Pra ardhja në pushtet me kauza të rrejshme është pasojë e madhe për vendin për stabilitetin politik e demokratik dhe kohezionin e përgjithshëm shoqëror sepse kemi kaluar në periudha të tensionimit të rëndë, përçarjes ndarjes e kështu me radhë”, ka thënë ai.
Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka urdhëruar dje zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dhënien në pronësi të 24 hektarë tokë për Manastirin e Deçanit.