Ankohen 60 praktikantët e Trepçës: Jemi në pritje të punës qe 3 muaj, kemi vendosur të ikim në Perëndim

Grupi prej 60 praktikantësh që kryen stazhin prej gjashtë muajsh në ndërmarrjen “Trepça SH.A” ankohen se kjo e fundit nuk u ofroi mundësi punësimi ani pse ndodhen në pritje tash e tre muaj prej kur përfunduan praktikën në dhjetor të vitit të kaluar, njofton “Mitropol”.
“Po hyjmë në muajin e 3-të të vitit 2023 dhe ende jemi duke pritë qe të kemi një mundësi punësimi në ndërrmarjen “TREPÇA “SH.A.”, thonë ata në një mesazh dërguar në redaksi që kërkojnë të mbetet anonim.
Ata tregojnë se më datën 1 janar 2023 kanë përfunduar punën praktike në këtë ndërmarrje.
“Kemi përfundu punën praktike 6 mujore të cilën e kemi kryer me saktësi dhe përkushtim maksimal. Si shkak i punës praktike, jemi detyru që t’i nderprejmë kontratat në vende private të punëve që i kemi pasur secili nga ne (60 persona), për arsye se kemi qenë të bindur se do të punësohemi në këtë ndërmarrje pas përfundimit të punës praktike ku edhe jemi çertifiku si praktikantë të suksesshëm.”, thonë ata në mesazhin e tyre.
Praktikantët tregojnë se kanë bërë kërkesë tek Bordi Udhëheqës e poashti edhe tek Minsitria e Ekonomisë, por se kanë mbetur ende pa ndonjë informatë konstruktive se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre për punësim.
“Si pasojë e pritjes së gjatë të gjithë e kemi në mendje që të migrojmë në shtetet perëndimore për një mundësi punësimi më të mirë sepse udhëheqësit tanë nuk po mendojnë për jetët tona të perditshme ku vie edhe deri tek lufta për egzistencë (te gjithë jemi duke parë jetën e shtrenjtë dhe inflacionin).”, thonë mes tjerash në shqetësimin e tyre dërguar në “Mitropol”.








