
Kandidati për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka vazhduar vizitat e tij nëpër klubet sportive të qytetit, duke u ndalur këtë herë në Klubin e Hendbollit “Trepça” – simbol i përkushtimit, pasionit dhe krenarisë sportive mitrovicase.
Tahiri vlerësoi lart punën dhe sukseset e klubit, duke theksuar se sporti është një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit të Mitrovicës dhe se përmes tij rriten kampionë të vërtetë që përfaqësojnë me dinjitet qytetin në arenën kombëtare e ndërkombëtare.
Ai ka shprehur zotimin se mbështetja për sportin dhe sportistët do të jetë një ndër prioritetet kryesore të programit të tij qeverisës, për t’i dhënë Mitrovicës energjinë e duhur rinore dhe frymën e bashkimit që ajo meriton.








