Armend Zemaj intervistohet si i dyshuar për incidentin me mërgimtarin pas raportimit ekskluziv të Mitropol

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se e ka intervistuar deputetin e LDK-së Armend Zemaj si të dyshuar për sulmin e djeshëm fizik ndaj një qytetari në qendër të Prishtinës, rast për të cilin raportoi ekskluzivisht Mitropol. Prokuroria ka thënë se është intervistuar edhe qytetari, të cilit Policia i ka shqiptuar gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Veprimi i deputetit Zemaj po kritikohet nga anëtarë të shoqërisë civile. Mu përballë Kuvendit të Kosovës, sheshi “Ibrahim Rugova” u bë skena e një incidenti fizik në mes deputetit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj dhe një qytetari.
Incidenti që nisi pasi qytetari e quajti “rrenc” deputetin Zemaj derisa ai po jepte intervistë, përfundoi me të dyja palët në stacion policor për t’u intervistuar. E tanimë rasti ka arritur edhe në duart e Prokurorisë, raporton rtv dukagjini.
“Prokurori kujdestar ka intervistuar të dyshuarin i cili dyshohet për veprën penale “Sulmi” nga neni 184 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për çështjen në fjalë. Për më shumë informacione, ju njoftojmë me kohë. Të dy janë intervistuar nga Prokurori. Të dëmtuarit, Policia e Kosovës i ka lëshuar një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike”.- Prokuroria Themelore në Prishtinë








