
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për propagandë, duke thënë se institucioni është vënë në shërbim të qeverisë dhe mafisë energjetike.
Në një postim në Facebook, Bajrami ka sqaruar se problemi nuk është zbatimi i ligjit, por mungesa e subvencionit prej 50 milionë eurosh nga qeveria.
“Nuk ka asnjë dyshim se jeni vënë në shërbim të qeverisë dhe mafisë energjetike. Ju si bord i ZRRE-së, po me këtë përbërje që keni, në nëntor të vitit 2024 keni miratuar dokumentin i cili thotë se ‘Për periudhën e shqyrtimit, bazuar në treguesit e analizuar, tregu i energjisë elektrike me shumicë dhe pakicë shfaq mungesë konkurrence dhe përqendrim të lartë.’ A mund ta mohojë ZRRE-ja një gjë të tillë? Për më tepër, në takimin e datës 12 maj të këtij viti në zyrën tuaj, ku unë isha bashkë me Visar Azemin, ju e keni thënë, po parafrazoj: ‘e vetmja mundësi për t’i mbajtur bizneset në shërbimin universal të furnizimit të energjisë ka qenë nëse Qeveria do t’i ndante 50 milionë euro subvencion’. Ka dëshmitarë që e keni thënë këtë në takim me mua, e keni thënë edhe në takim me shoqatat e biznesit, e ka shumë mundësi ta keni thënë edhe publikisht”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka theksuar se mungesa e subvencionit ka penguar zbatimin e ligjit dhe ka kritikuar raportimet e ZRRE-së për “suksesin” e tregut të lirë.
“Pra, nuk është në pyetje zbatimi i Ligjit (sepse Ligji ka qenë aty që nga viti 2016), por mungesa e subvencionit prej 50 milionë Euro nga qeveria. Normalisht që ligjet duhet të zbatohen, por fillimisht duhet të krijohen kushtet për zbatimin e tyre, e këto kushte nuk janë krijuar sipas dokumentit që ju vetë e keni miratuar në nëntor të vitit 2024. Sot, represionin që po u bëni bizneseve e paskeni shitur si sukses. Paskeni treguar se 92% e njëhësorëve të këtyre kompanive tash janë duke u furnizuar nga operatorët privat, por asnjë fjalë nuk paskeni thënë për depozitat e majme monetare që janë detyruar kompanitë t’i bëjnë te këta operatorë privat (tregtarët e energjisë), çfarë kontratash janë nënshkruar, e me çfarë çmimi? Dhe sipas jush kjo po që është fitore, por është fitore e mafisë energjetike, e cila do të ketë pasoja katastrofale për ekonominë vendore në përgjithësi, ndërsa rritja ernorme e çmimeve për secilin produkt vendo e të importuar është dhurata që ju si ZRRE përmes këtyre politikave, po u bëni qytetarëve të vendit”, ka shtuar ajo.







