Arrestohen dy persona në Prishtinë – dyshohet se falsifikuan dokumente e shkaktuan dëm prej miliona eurosh

Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit i Prokurorisë Themelore në Prishtinë sot, në bashkëpunim me policinë, ka kryer një aksion që përfshiu katër lokacione të ndryshme, shkruan Mitropol.
Ky aksion u krye pas hetimeve disa-mujore mbi veprimtari të dyshimta.
Hetimet, sipas prokurorisë, kishin për qëllim zbardhjen e veprave penale të falsifikimit të dokumenteve, legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, ku dy persona janë arrestuar: V.H, me profesion avokat, dhe D.I, instruktor.
Të arrestuarit, sipas prokurorisë, me qëllim përfitimin personal, kanë falsifikuar dokumente dhe i kanë legalizuar si të vërteta, ku janë mashtruar klientë dhe është shkaktuar dëm financiar prej disa miliona euro.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48, ndërsa autoritetet kompetente vazhdojnë me mbledhjen e provave të mëtejshme, brenda afateve ligjore./Mitropol/