Active 2
02LAJME

Komuna blen pronat e ish-Lux’it, do t’i kthejnë në parking

Sot në seancën e Kuvendit Komunal në Mitrovicë, me votën e shumicës së asambleistëve u votua shpallja e parcelës nr. 0-1810-0, zonë me interes së përgjithshëm publik, që i hap rrugë blerjes së pronave të ish Ndërmarrjes N.SH Lux dhe kthimin e tyre në pronë komunale.

Dukato 1

Kjo nismë, siç njofton drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm, Elvis Feka i hap rrugë iniciativës për themelimin e grupit punues për vleresimin e të gjitha objekteve/pronave që janë nën menaxhimin e AKP-së dhe të cilat duhet të kthehen në prona komunale në shërbim të projekteve për qytetin dhe qytetarët.

Në rrugën “Xhafer Deva” në anën e djathtë gjenden disa objekte në pronësi të ish-Lux’it të cilat pas komunikimit mes Komunës së Mitrovicës dhe Agjensisë Kosovare të Privatizimit janë larguar nga shitja e aseteve të nisur përmes likuidimit me numër rendor 58 në tenderin numër 07 të shpallura më 07 shtator 2022.

Hapësira në fjalë planifikohet të bëhet parking, pasi në Kuvend të Mitrovicës u votua që zona në fjalë të shpallet si zonë me interes publik.

“Në vazhdim u miratuan këto pika; Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar; Projekt-programi trevjeçar i banimit për vitet 2022-2025; Propozim-vendim për formimin e Grupit punues për hartimin e Planit të punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2023; Propozim-vendim për shpalljen e Parcelës Nr. 01810-0 Zonë me Interes të Përgjithshëm Publik; Propozim-vendim për miratim të iniciativës për bashkëpunim ndërkomunal të Komunës së Mitrovicës së Jugut me komunat Skenderaj dhe Vushtrri për strehimoren QMGF “Raba Voca” në Mitrovicë; Kërkesa e Sindikatës së të Punësuarve të Komunës së Mitrovicës; Raport i vlerësimit të grantit të performancës komunale për vitin 2021; Kërkesë nga DBZHR për bashkëfinancim të fermerëve për subvencionim; Propozim-vendim për ndarjen e çmimit “Kadri Kadriu” për vitin 2022; Propozim-vendim për ndarjen e çmimit “Lah Nimani” për vitin 2022; Rekomandim për ndalimin, blerjen, shitjen, posedimin dhe përdorimin e mjeteve piroteknike”, u tha në njoftimin e Komunës.

”Mitropol” ka siguruar edhe dokumentet ku dëshmohet komunikimi mes Komunës së Mitrovicës dhe AKP-së.

Premium Store