Vdiqën dy punëtorë pasi ranë nga kati i 3-të, Policia arreston investitorin dhe punëkryesin

Dy punonjës ndërtimi kanë ndërruar jetë në vendin e punës në Gjakovë mëngjesin e së hënës.
Lidhur me këtë rast, dy persona janë ndaluar nga Policia. Kështu ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Aktualisht në cilësinë e të dyshuarve janë duke u intervistuar dy persona”, tha ai.
“Sot rreth orës 08:15, jemi njoftuar se dy persona (meshkuj të moshës madhore) janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë, dyshohet si pasojë e lëndimeve të pësuara në vendin e punës, në rrugën ‘Bardhyl Qaushi’ në Gjakovë. Më pas është konfirmuar edhe vdekja e tyre”, tha Elezaj.
Ai bëri të ditur se njësitë relevante të Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprime hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.








