Medi
LAJME

IKD fajëson institucionet për vdekjen në Ujman: Kanë proklamuar liqenin si zonë për larje

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një reagimi publik ka kërkuar llogaridhënie institucionale dhe publike mbi përgjegjësinë e institucioneve shtetërore lidhur me vdekjen tragjike të një personi më 27 korrik 2025 në Liqenin e Ujmanit, shkruan Mitropol.

IKD thekson se sipas Ligjit për Ujërat e Kosovës, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Komunat dhe Kompanitë e ofrimit të shërbimeve të ujit, me akt nënligjor cakton zonat për larje.

Tripika

Sipas Udhëzimit Administrativ për kriteret për zonat për larje, ky obligim është dashur të përmbushet deri në vitin 2018, por që nuk ka asnjë njoftim publik nëse Liqeni i Ujmanit është caktuar si zonë për larje.

“Nuk ka asnjë njoftim publik nëse institucionet kompetente e kanë caktuar Liqenin e Ujmanit si zonë për larje. Për më tepër, nuk ekzistojnë njoftimet nëse larja në këtë zonë është e lejuar apo e ndaluar. Ndërkaq, situata faktike është se tash e një kohë ky liqen është duke u përdorur për larje nga qytetarët”, thuhet tutje në reagim.

IKD thotë se institucionet e Republikës së Kosovës në vend të përmbushjes së obligimeve ligjore përkitazi me caktimin e zonave për larje dhe ndërmarrjen e masave menaxhuese, siç kërkohet me Ligj dhe Udhëzim Administrativ, kanë proklamuar liqenin si zonë për larje.

IKD ka kërkuar të iniciohet menjëherë një hetim institucional lidhur me moszbatimin e obligimeve ligjore dhe lejimin e shfrytëzimit të Liqenit të Ujmanit si zonë për larje, si rezultat i të cilës erdhi deri tek vdekja e të riut.

Në anën tjetër, Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së shpreh vullnetin, gatishmërinë dhe përkushtimin e plotë që t’u ofrojë familjarëve të të ndjerit ndihmë juridike falas në kuptim të ndjekjes së rrugëve ligjore për konstatimin e shkeljes së të drejtës në jetë ndaj të ndjerit.

Pellini