Projekti për rehabilitimin e kanalit të Ibër Lepencit drejt përfundimit – Qeveria thotë se investoi 13 milionë euro

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se projekti për rehabilitimin e kanalit të Ibër Lepencit është drejt përfundimit, me më shumë se 90% të punimeve të realizuara në dy vitet e fundit. Investimi kap vlerën prej 13 milionë euro dhe synon rikthimin në funksion të plotë të një infrastrukture strategjike për vendin.
Sipas ministres Rizvanolli, kontrata ishte trashëguar me një nivel shumë të ulët zbatimi, por pas rishpalljes së saj dhe me angazhimin e Qeverisë, janë rehabilituar 10 kilometra nga pjesa më e dëmtuar e kanalit, i cili është 49 kilometra i gjatë.
Punimet kanë përfshirë riparimin e akuadukteve, rindërtimin e rezervuarit Bufer, sistemet e shpërndarjes, kanalet ndihmëse dhe komponentët për mbrojtje të mjedisit.
Ministrja nënvizoi rëndësinë jetike të këtij kanali për furnizimin me ujë të pijshëm, ujitjen bujqësore dhe prodhimin e energjisë elektrike, duke theksuar: “Do të vazhdojmë të investojmë dhe ta mbrojmë këtë pasuri strategjike kombëtare”.








