
Sot në kampin e Njësive Speciale në Vrellë, u mbajt ceremonia solemne e certifikimit të 48 pjesëtarëve të rinj të Njësisë Speciale Operative (NJSO), të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimin bazik për operatorë të kësaj njësie elitare të Policisë së Kosovës.
Në ceremoni morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, drejtori i Departamentit të Njësive Speciale, kolonel Shabani, eprorë të PK-së, instruktorë, si dhe përfaqësues nga Ambasada Amerikane, KFOR-i amerikan dhe institucione të tjera shtetërore.
Përveç policëve të rinj, u certifikuan edhe 5 instruktorë të trajnimit themelor për NJSO-në, ndërsa u ndanë mirënjohje për kontributin dhe punën e tyre të palodhshme.
Me këtë certifikim, pjesëtarët e rinj janë tashmë të përgatitur të përballen me sfida të reja policore, duke qenë në shërbim të rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës.








