Aquapark 1
KOSOVËLAJME

“Kërkimi i ndihmës nuk është shenjë dobësie”, 1 në 7 të rinj përballet me probleme mendore

Shëndeti mendor i të rinjve është një problem serioz që shpesh anashkalohet, megjithëse ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme. Presioni nga shkolla, rrjetet sociale, krahasimet me të tjerët, e kërkesat e pritshmëritë e prindërve që nuk përkojnë me dëshirat dhe potencialin e të rinjëve shpesh i bëjnë ata të ndihen nën presion i cili i dërgon ata deri në probleme serioze psikologjike.

Aida Mustafa, sot 22 vjeçare tregon se gjatë kohës që ka qenë në shkollë fillore dhe atë të mesme ajo ka kaluar periudhë të vështirë depresioni.

Medi

“Pëveç që kam kaluar diçka të vështirë si depresioni, gjendja rëndohej edhe më shumë pasi që nuk kam  pasur se te kush të hapem. Mënyra se si e kam tejkaluar ka qenë në kohë të karantinës kur jam shoqëruar me njerëz anë e mbanë botës. Përmes kontaktit në rrjete sociale, ata më kanë ndihmuar në përmirësimin e gjendjes time mentale”, u shpreh Mustafa.

Ajo tregon se tashmë qasja e saj dhe të menduarit ka ndryshuar shumë dhe në rast të përballjes me situata të tilla ajo di t’i menaxhojë, por njëkohësisht thekson faktin se të rinjtë sot ende vazhdojnë të përjetojnë të njëjtën gjendje si ajo për shkak se nuk kanë se me kë të flasin.

“As të rinjtë sot nuk flasin mjaftueshëm për mirëqenien e tyre mentale e emocionale. Mbyllen në vete sepse nuk kanë ndonjë individ me të cilin mund të flasin. Prindërit duhet të flasin më shumë me fëmijët për mënyrën se si ata ndjehen dhe vështirësitë që mund të jenë duke i kaluar”, tha ajo.

Teksa tutje 22 vjeçarja thotë se kur ndihet e ngarkuar, janë lojërat online të cilat e ndihmojnë dhe relaksojnë.

Sa i përket gjendjes së shëndetit mendor të të rinjëve në Kosovë, sociologu, Jahir Sumiçi thotë se përgjithësisht gjendja e shëndetit mendor të të rinjve është e brishtë dhe shpesh e neglizhuar.

“Ata përballen me presione të mëdha sociale, akademike dhe ekonomike, ndërkohë që qasja në shërbime profesionale është e kufizuar. Kjo gjeneratë është më e vetëdijshme për rëndësinë e shëndetit mendor, por edhe më e ekspozuar ndaj stresit, krahasimit social dhe pasigurisë për të ardhmen.”, tha Sumiçi.

Sociologu thotë se krahas gjendjes së brishtë të shëndetit mendor të të rinjëve, qasja e prindërve ndaj problemeve të shëndetit mendor të të rinjve krahasuar me gjeneratat e kaluara ka ndryshuar.

“Ka ndryshim. Prindërit e sotëm janë më të informuar dhe më të hapur për të pranuar se shëndeti mendor kërkon kujdes profesional. Megjithatë, ende ekziston mendësia tradicionale se problemet duhen duruar ose fshehur për shkak të “turpit shoqëror”.”, tha mes tjerash ai.

Sumiçi potencoi se komuniteti luan rol vendimtar si rrjet mbrojtës për shëndetin mendor të të rinjëve, duke dhënë edhe disa rekomandime se si do të mund të ofrohej më shumë mbështetje për të rinjtë.

“Komuniteti mund të ofrojë hapësira të sigurta për aktivitete, të nxisë solidaritetin dhe të luftojë stigmat. Kur komuniteti është aktiv, të rinjtë e ndjejnë përkatësinë dhe kanë më pak gjasa të izolohen. Disa nga rekomandimet do të ishin: Hapja e qendrave rinore me aktivitete kulturore, sportive e educative, ngritja e programeve të mentorimit dhe vullnetarizmit rinor, apo edhe trajnim i liderëve lokalë (mësues, prijës fetarë, aktivistë) për të mbështetur të rinjtë.”, u shpreh sociologu.

Tutje ai përmendi një sërë fatkorësh që ndikojnë në përkeqësimin e shëndetit mendor të të rinjve në Kosovë , duke përfshirë papunësinë dhe mungesën e perspektivës, presionin e lartë akademik, mungesën e aktiviteteve cilësore rinore, stigma kulturore rreth shëndetit mendor, si dhe ndikimi i rrjeteve sociale që sipas tij shpesh krijojnë standarde joreale dhe ndjesinë e pamjaftueshmërisë.

Për ndikimin e rrjeteve sociale tek shëndeti mendor i të rinjëve ka folur edhe psikologia, Albulena Rrustemi Kurti. Ajo konsideron që rrjetet sociale kanë ndikim të dyfishtë mbi shëndetin mendor të të rinjëve.

“Nga njëra anë, ato mund të ofrojnë mundësi për lidhje, shprehje dhe mbështetje sociale. Por, nga ana tjetër, krahasimi i vazhdueshëm me të tjerët, pritshmëritë për të dukur“perfekt” dhe ekspozimi ndaj lajmeve negative mund të rrisin ankthin, stresin dhe pakënaqësinë me veten. Për të rinjtë, është shumë e rëndësishme të mësojnë të përdorin rrjetet sociale me vetëdije dhe kufizim, në mënyrë që të mos ndikojnë negativisht në mirëqenien e tyre psikologjike.”, tha ajo.

Psikologia tregon se çfarë pasoja sjellë hezitimi i të rinjve për të kërkuar ndihmë në rast të përkeqësimit të gjendjes mendore.

“Hezitimi i të rinjve për të kërkuar ndihmë kur gjendja e tyre mendore përkeqësohet ka pasoja të rëndësishme, si në aspektin emocional ashtu edhe në atë social dhe funksional. Kur nuk kërkohet mbështetje, ankthi, depresioni ose stresi i kronikizuar mund të intensifikohen, duke ndikuar drejtpërdrejt në vetëvlerësim, motivim dhe aftësinë për të përballuar sfidat e përditshme.

Së dyti, mungesa e ndërhyrjes profesionale mund të çojë në zhvillimin e mekanizmave të dobët të përballimit, si tërheqja sociale, izolimi apo reagime impulsive, që shpesh e përkeqësojnë gjendjen emocionale.Në aspektin afatgjatë, kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet me të tjerët, performancën akademike dhe perspektivat profesionale, duke krijuar një cikël të vështirë të stresit dhe pasigurisë.

Në këtë kontekst, është thelbësore të kuptohet se kërkimi i ndihmës nuk është shenjë dobësie, por një akt i mençur i vetëkujdesit. Ndihma e hershme mund të ndalojë përkeqësimin e simptomave, të forcojë aftësitë përballuese dhe të ndihmojë të rinjtë të ndërtojnë një mirëqenie psikologjike më të qëndrueshme.”, tha ajo.

Psikologe Albulena thotë se duhet të luftohet stigma e vizitës te psikologu e psikiatri, dhe se format e luftimit të kësaj stigme janë përmes edukimit dhe vetëdijes publike.

“Kur njerëzit kuptojnë se kujdesi për shëndetin mendor është po aq i rëndësishëmsa ai fizik, dhe kur familja apo shoqëria i inkurajon të rinjtë tëkërkojnë ndihmë, barrierat zvogëlohen. Po ashtu, normalizimi i vizitave te specialistët në shkolla dhe vende pune ndihmon që kjo të bëhet një praktikë e natyrshme, jo diçka e frikshme.”, u shpreh mes tjerash ajo.

Ndërkaq, sipas një raporti të Organizatës Botërore për Shëndetësi të publikuar në shtator 2025, globalisht, një në shtatë adoleshentë (10–19 vjeç) përjeton një çrregullim mendor, që përbën 15% të barrës globale të sëmundjeve në këtë grupmoshë. Depresioni, ankthi dhe çrregullimet e sjelljes janë ndër shkaqet kryesore të sëmundjeve dhe paaftësisë tek adoleshentët. Vetëvrasja është shkaku i tretë i vdekjes tek 15–29 vjeçarët.

Ky artikull është shkruar si pjesë e memoradumit të bashkëpunimit me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.
SultanDoner