
Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, municion, granata dore dhe pajisje të tjera ilegale në tri raste të ndara në veri të vendit, pas informacioneve të pranuara nga qytetarët.
Sipas komunikatës së policisë sot njësitë policore kanë zhvilluar kontrolle në tri lokacione të ndryshme në komunat Zubin Potok dhe Zveçan.
Rasti i parë – Jagnjenic, Zubin Potok
Rreth orës 01:20, policia ka kontrolluar një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenic të Zubin Potokut, ku janë gjetur dhe sekuestruar 95 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe një emblemë dhe disa spaleta të Policisë së Serbisë.
Rasti i dytë – Zhitkovc, Zveçan
Rreth orës 09:20, gjatë kontrollit në një hambar të një shtëpie të braktisur në fshatin Zhitkovc, Komuna e Zveçanit, policia ka gjetur dhe sekuestruar:
• Një armë AK-47;
• Një granatë dore M-57, prodhim jugosllav;
• Tre karikatorë të zbrazët të AK-47;
• 85 fishekë të kalibrit 7.9 mm;
• Dy uniforma ushtarake me emblema të Serbisë;
• 60 fishekë të armës AK-47.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat kanë bërë tërheqjen e mjeteve shpërthyese në mënyrë të kontrolluar.
Rasti i tretë – Varage, Zubin Potok
Rreth orës 12:20, njësitë policore kanë kontrolluar një tjetër shtëpi të pabanuar në fshatin Varage të Zubin Potokut, ku janë sekuestruar një granatë dore dhe 50 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Edhe në këtë rast ka ndërhyrë njësia EOD për trajtimin e mjetit eksploziv.
Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Lidhur me këto tri raste, deri më tani nuk ka persona të arrestuar.








