Pacientit i rrezikohet jeta: Teknikja në “Riga Pharm” i dha bar tjetër nga ai që i kishte shkruar mjeku

Një pacient në Mitrovicë dyshohet se është ekspozuar ndaj një rreziku serioz shëndetësor, pasi në barnatoren “Riga Pharm 50” i është dhënë një produkt medicinal tjetër nga ai që ia kishte përshkruar mjeku.
Sipas të dhënave të siguruara nga Front Online, më 14 prill 2025, Inspektorati Farmaceutik ka inspektuar barnatoren “Riga Pharm 50” në Mitrovicë, pas një ankese ku pretendohej se pacientit nuk i ishte dhënë terapia e përshkruar, por një produkt tjetër medicinal.
Në raportin e Inspektoratit thuhet se gjatë inspektimit në barnatore ka qenë prezente teknikja e farmacisë, Adea Sokoli, e cila, sipas procesverbalit, ishte duke ofruar shërbime farmaceutike pa praninë e farmacistit përgjegjës apo zëvendësuesit të autorizuar.

Ankesa e qytetares është edhe më shqetësuese. Sipas saj, personi që i kishte ofruar shërbimin nuk ishte konsultuar fare me të dhe i kishte dhënë një produkt medicinal krejt tjetër nga ai i përshkruar nga mjeku.
Në vend të produktit “Laloclean Nasal Spray”, pacientit i ishte dhënë “Nafazolin”.
Ky ndryshim, sipas pretendimeve në ankesë, nuk ishte një zëvendësim i zakonshëm, por dhënie e një produkti tjetër medicinal, pa sqarim dhe pa konsultim me pacientin. Një veprim i tillë, sidomos kur bëhet pa prezencën e farmacistit përgjegjës, ngre dyshime serioze për sigurinë e shërbimit të ofruar në këtë barnatore.
Gjatë inspektimit, inspektorët kanë kërkuar që të ofrohej receta për produktin Nafazolin, mirëpo sipas raportit, është deklaruar se nuk posedoheshin receta mjekësore për produkte medicinale të kategorive si psikotropë apo antibiotikë.

Pjesa më e rëndë e rastit është vetë deklarata e Adea Sokolit, e evidentuar në procesverbal. Ajo ka pranuar se më 05 mars 2025 kishte dhënë Nafazolin në vend të Laloclean.
Sipas deklaratës së saj:
“Unë, Adea Sokoli, deklaroj se me datën 05.03.2025 e kam dhënë barin Nafazolin në vend të barit Laloclean dhe kam qenë duke ofruar shërbim zëvendësues.”

Ajo më tej ka deklaruar se veprimi kishte ndodhur për shkak të ngarkesës dhe shqetësimeve personale, duke shtuar se nuk kishte pasur qëllim të keq dhe se kishte dashur t’i gjente zgjidhje pacientit. Për këtë, ajo ka shprehur keqardhje.
Sipas licencës së barnatores, farmaciste përgjegjëse figuron Brikena Isufi.
Portali Front Online i ka dërguar pyetje rrjetit të barnatoreve Riga Pharm, por deri në momentin e publikimit nuk ka arritur të marrë përgjigjie nga ta.








