
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka për interes të mos e zbardhë rastin e aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari, që më 2016 u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit. Teksa Prokuroria atëkohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.
Në Kuvend, Berisha ka thënë se Vetëvendosje e ka përdorur rastin e Deharit për përfitime politike.
“As pas ekspertizës së institucioneve zvicerane s’ka epilog, vendim gjyqësor, gjë që vë në dyshim se ka ndërhyrje direkte të politikës dhe Qeverisë në zbardhjen e këtyre rasteve. Duhet ta themi troç se interesi i politikës, partisë në pushtet, Qeverisë, është që ky rast të mos zbardhet. Kjo Qeveri ka vetëm një qëllim që të kapë drejtësinë përmes këtij rasti dhe rasteve tjera prandaj që nga viti 2019 s’po zbardhet që kur VV-ja erdhi në pushtet dhe ka pushtetin absolut. Njëjtë pres të ndodhë siç ka ndodhur me rastet e vrasjes së pasluftës”, ka thënë Berisha duke vazhduar me akuza të rënda.
Berisha është penguar të flasë nga deputetët e VV-së të cilët në shenjë revolte kanë bërë zhurmë nga ulëset e Kuvendit të Kosovës. Njëjtë ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu./Koha.net







