Rifati nuk ka dyshime: Mendoj që Trepça e fiton titullin kampion, ka epërsinë e madhe të terrenit vendas

Skuadra e Trepçës dhe ajo e Pejës do të përballen sonte në ndeshjen vendimtare për titullin kampion.
Nga 4 takimet e zhvilluara deri më tash, të dy skuadrat kanë siguruar nga dy fitore, me ndeshjen e pestë në ‘Minatori’ që do të vendosë për skuadrën kampione.
Ndeshja e fundit në palestrën ‘Karagaçi’ ishte një ndeshje dramatike, me vendasit nga Peja që fituan dhe e dërguan çështjen e titullit për t’u vendosur në ndeshjet e fundit.
Të gjitha biletat janë shitur për këtë ndeshje, me atmosferën që pritet të jetë e ‘zjarrtë’ në tribuna, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë sezonit tek kjo palestër.
Njëri ndër trajnerët më të mirë kosovar, Arbnor Rifati tha për ‘GazetaBlic Sport’ se Trepça është favorite për ta fituar titullin, kjo për shkak të përparësisë të terrenit vendas dhe për shkak të cilësisë në skuadër.
“Mendoj se titulli i kampionit do të shkojë tek KB Trepça, kjo për shkak të epërsisë së terrenit vendas. Palestra Minatori është një terren shumë i vështirë për kundërshtarin. Normalisht, edhe për shkak të cilësisë së kësaj skuadre, sidomos në pozita 4 dhe 5”, tha Rifati.








