Apeli refuzon ankesën e ShSKUK-së, vërtetohet aktgjykimi për anulimin e vendimit për drejtor të Infermierisë në Mitrovicë
Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK)- Spitali i Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në “Mitrovicë, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me të cilin i është aprovuar kërkesëpadia Rukije Merovcit, me të cilin ishte vendosur të anulohet vendimi i Komisionit për ankesa i ShSKUK-së dhe vendimi për përzgjedhjen përfundimtare të kandidatëve, në konkursin për pozitën “Drejtor i Infermierisë”.
Ndryshe, në vendimin e 16 marsit 2023, Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e Merovcit ndaj ShSKUK-së, duke anuluar vendimin e 30 janarit 2023 (për refuzimin e ankesës së Merovcit ndaj ShSKUK-së) dhe atë të 16 janarit 2023 (me të cilin Florije Hasani-Sahatqiu u zgjodh në pozitën “drejtor i Infermierisë”, në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, “Betimi për Drejtësi”.
Ndaj vendimit të Themelores, e paditura ShSKUK kishte dorëzuar ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
ShSKUK kishte kërkuar që të pranohet ankesa e tyre si e themeltë dhe kërkesëpadia e paditëses të refuzohet si e pabazuar apo që aktgjykimi i atakuar të prishet dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Gjykata e Apelit pasi shqyrtoi shkresat e lëndës, aktgjykimin e atakuar dhe pretendimet ankimore dhe pas vlerësimit të tyre, gjeti se ankesa e ShSKUK-së është e pathemeltë, ndërsa është vërtetuar aktgjykimi i Themelores.
“Gjykata me qëllim të konstatimit të drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike bëri administrimin dhe leximin e provave dhe pas vlerësimit të tyre erdhi në përfundim se procedurat e zhvilluara të konkurrimit, nuk janë udhëhequr Konform dispozitave ligjore që rregullojnë këtë fushë”, thuhet në vendimin e Apelit, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, shkalla e dytë ka konstatuar se poentimi i kandidatëve nga Komisioni Vlerësues është në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore.
“Vendimi për përzgjedhjen e kandidatëve me numër të protokollit 77, Komisioni përzgjedhës ka bërë poentimin me 50% në testin me shkrim dhe 50% në testin me gojë, lidhur me këtë, Gjykata duke ju referuar LZP, saktësisht nenit 67 paragrafi 9 i cili nen e ka rregulluar mënyrën e poentimint të kandidatëve, e një interpretim logjik i kësaj dispozite, i bie që vlerësimi i tillë i bërë nga Komisioni Vlerësues, është në kundërshtim të plotë me dispozitat e lartëcekura. Po ashtu në bazë të nenit neni 67 i LZP-ës konkursi duhet të jetë publik, kurse e paditura ka shpallur konkurs të brendshëm, duke ju referuar dispozitës së lartcekur”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.
Në arsyetimin e vendimit, Apeli thekson se paditësja ka aplikuar në konkursin për “Drejtor të Infermierisë”, mirëpo Komisioni Vlerësues nuk e ka përzgjedhur si kandidate të suksesshme me arsyetimin se nuk i ka arritur pikët e nevojshme për pozitën në fjalë.
Për këtë Merovci, më 25 janar 2023 kishte paraqitur ankesën e saj në ShSKUK në lidhje me konkursin, ku thuhet se njëri nga anëtarët e komisionit nuk ka shkollim universitar dhe rrjedhimisht nuk është adekuat për vlerësim.
“Një nga anëtarët e Komisionit Vlerësues konkretishti Z.Valdrin Demiraj kishte vetëm shkollim të mesëm dhe paditësja pretendon se si është e mundur që një person me vetëm shkollim të mesëm të bëjë vlerësimin e një personi me shkollim universitar dhe kritereve tjera kualifikuese, kandidatja e zgjedhur në pozitën e drejtoreshës nuk e plotëson asnjërën nga këto”, thuhej në ankesën e Mervocit.
Por, ankesa e saj ishte refuzuar dhe për këtë ishte përcaktuar masa e sigurisë. Ndërsa, në propozimin për sigurimin e paraprovës, thuhet se është kërkuar nga gjykata të bëjë sigurimin e paraprovës, ashtu që të vërtetohet se kandidatja e përzgjedhur Florije Hasani-Sahatqiu nuk e ka plotësuar kushtin e përvojës menaxheriale dhe atë të anëtarës së Odës së Infermierëve./BetimiperDrejtesi