Premium Store
KOSOVËLAJME

SBASHK: Ikja e mësimdhënësve po rrezikon sistemin arsimor

Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Vjollca Shala, vlerësoi se ikja e mësimdhënësve dhe nxënësve nga Kosova është duke u bërë shqetësuese dhe se nëse ky trend vazhdon, shkollat në një të ardhme të afërt mund të mbesin pa kuadro profesionale.

Shala tha se mësimdhënës me përvojë të gjatë po largohen për shkak të kushteve të vështira të punës dhe gjendjes së rënduar sociale, duke u inkuadruar në sistemin arsimor të vendeve si Gjermania.

Premium Store

“Kemi ikje nga Kosova të mësimdhënësve dhe të nxënësve, në veçanti me liberalizimin e vizave, mësimdhënësit janë duke marrë pushime pa pagesë. Por, ka edhe shumë raste të tjera që mësimdhënësit pa marrë pushime fare, pa pagesë, duke mësuar një gjuhë të huaj, për shkak të kushteve të punës dhe për shkak të gjendjes sociale të rënduar në Kosovë po ikin nga Kosova dhe po shkojnë nëpër shtete të ndryshme të Evropës. Në veçanti mund ta përmendim shtetin e Gjermanisë, ku mësimdhënësit po e mësojnë gjuhën gjermane dhe po inkuadrohen në arsimin e Gjermanisë si mësimdhënës në shkollat e tyre. Po në të njëjtën kohë kemi ikje masive edhe të nxënësve, ngase bashkë me familjarët e tyre po ikin edhe nxënësit. Kjo gjendje është shumë alarmante, do intervenim të shpejtë, ngase nëse vazhdon ky trend i ikjes së mësimdhënësve nga shkollat e Kosovës, në një të ardhme mund t’i gjejë shkollat e Kosovës pa mësimdhënësit tanë”, tha Shala.

Ajo shtoi se humbja e një mësimdhënësi me përvojë është e pariparueshme në një afat të shkurtër kohor.

Shala u ndal dhe në kërkesat e SBASHK-ut, duke përmendur nevojën urgjente për rritjen e koeficientit në Ligjin e Pagave, nënshkrimin e kontratës kolektive dhe rregullimin e pagesës së përvojës së punës.

 

Weelnes