Burgim i përjetshëm për kosovaren në Gjermani: E përvëloi vajzën dhe s’e dërgoi te mjeku, vdiq pas 12 ditësh
Kosovarja që e përvëloi vajzën e saj, e cila vdiq më pas se nuk u dërgua për trajtim mjekësor është dënuar me burgim të përjetshëm.
Meqenëse kishte supozuar se fëmija nuk kishte sigurim shëndetësor, ajo nuk e kishte trajtuar atë te mjeku, pasi raportohet se kishte frikë se duhej të përballonte shpenzimet.
Gjykata e Landit në Verden (Saksonia e Ulët) e ka konstatuar të hënën si të provuar faktin se e akuzuara ka vepruar nga lakmia.
Në gusht të vitit 2022, ajo kishte larë qëllimisht të bijën në apartamentin e saj në Grasberg afër Bremenit me ujë aq të nxehtë sa fëmija pësoi djegie me rrezik për jetën.
Kosovarja, e lindur në Gjermani, e ka trajtuar fëmijën “krejtësisht në mënyrë joadekuate”, duke e lyer me pomadë dhe fasha. Edhe pasi nëna e tre fëmijëve e kishte kuptuar se katërvjeçarja po përkeqësohej gjithnjë e më shumë, ajo “e kishte lënë atë në fatin e saj” dhe më në fund ka pranuar edhe mundësinë për vdekjen e saj.
Vajza ka vdekur dymbëdhjetë ditë pas përvëlimit. Në atë kohë, një e treta e lëkurës ishte e nxirë, ka thënë kryetari i trupit gjykues. Fëmija ka vuajtur në mënyrë “të pabesueshme”.
Gjatë gjykimit, e pandehura ka thënë se e ka kuptuar shumë vonë që uji ishte shumë i nxehtë. Gjithashtu ajo ka pretenduar se plagët janë shkaktuar nga vetë vajza, përcjell albinfo.ch.
Gjykata nuk e beson këtë pretendim, sepse ashpërsia e plagëve duhet ta ketë bërë të qartë se çfarë mundimi ka pësuar fëmija.