Buxheti i BE-së 2028-2034: Kosova përfiton nga fondet e zgjerimit

Propozimi i Komisionit Evropian për Kornizën Financiare Shumëvjeçare është dokumenti më i rëndësishëm i këtij institucioni, shkruan Mitropol.
Ky dokument hap zyrtarisht negociatat për atë se ku do të shpenzohen mjetet financiare në periudhën 2028-2034.
Kësaj radhe, Komisioni Evropian propozoi një shumë prej 2 trilionë euro, për shtatëvjeçarin e ardhshëm, gati dyfishi i buxhetit të mëparshëm.
Edhe procesi i zgjerimit të BE-së përfshihet në këtë kornizë financiare.
“Zgjerimi është prioritet kyç. Nuk është vetëm qëllim politik, por investim strategjik në stabilitetin dhe prosperitetin e Europës. Prandaj, po e hapim plotësisht instrumentin “Global Europe” për vendet kandidate – jo vetëm për asistencë teknike, por edhe për reforma dhe projekte konkrete”, tha Ursula von der Leyen presidente e Komisionit Evropian.
Kosova mbetet i vetmi vend i rajonit pa statusin zyrtar të kandidatit, por Brukseli ka konfirmuar se edhe Prishtina do të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian, përmes instrumenteve të dedikuara për vendet në procesin e zgjerimit.







