
Prokuroria Speciale e Kosovës, njofton se kërkesën për zëvëndësim të masës së paraburgimit ndaj Dejan Pantiqit, e bëri duke u bazuar në aspektin shëndetësor e human.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasiqë i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzoj të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria njofton se edhe pse ka ekzistuar një vendim i Gjykatës për caktim të paraburgimit ndaj të pandehurit Pantiq, ai asnjëherë nuk u dërgua në paraburgim.
Prokuroria me njoftim, gjithashtu thekson se kjo kërkesë erdhi si rrjedhojë e konstatimit të gjendjes jo të mirë shëndetësore nga ana e ekipit mjekësor të EULEX-it, të cilët kishin rekomanduar trajtim në qendër spitalore.
“Pas vizitave të ekipeve mjekësore të EULEX-it, të cilët kanë konstatuar gjendje jo të mirë shëndetësore për të pandehurin, ata kanë rekomanduar trajtim në një qendër spitalore, megjithatë as ky rekomandim nuk u realizua” – thuhet në njoftim.
Vendimin për ndërrimin e masës ndaj Pantiqit e komentoi edhe shefi i Qeverisë, Albin Kurti tha se është “kureshtar të dijë se cili prokurorë kërkoi arrestin shtëpiak të Pantiq dhe cili gjqytar e aprovoi”.
Ky deklarim shkaktoi reagim nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të cilët thanë se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur.
Pantiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ në Mitrovicë. /KALLXO/








